Një ngjarje e rëndë ka tronditur Berlinin mbrëmjen e së shtunës, pasi një automjet u përplas me një turmë njerëzish gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale, në zonën Tiergarten, pranë vendit ku mijëra persona po merrnin pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të Berlin Pride.
Sipas Policisë së Berlinit, një furgon i vogël i bardhë hyri me shpejtësi në zonën e eventit, goditi disa persona dhe më pas u përplas me një pemë, ndërsa drejtuesi i mjetit braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Autoritetet nisën një operacion të gjerë për kapjen e shoferit. Mediat gjermane raportuan fillimisht për arrestimin e një të dyshuari, por policia e mohoi këtë informacion, duke sqaruar se pamjet e shpërndara në rrjetet sociale lidhen me arrestime të tjera gjatë ditës, për incidente të ndodhura gjatë festimeve.
Policia konfirmoi se një person humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë në vendngjarje. Më vonë u bë e ditur se viktima ishte një grua.
Ndërkohë, të paktën 16 persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa sipas shërbimeve zjarrfikëse më shumë se dhjetë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Autoritetet e shpallën ngjarjen si një incident me viktima masive, duke angazhuar më shumë se 150 zjarrfikës dhe ekipe shpëtimi. Për të plagosurit rëndë u krijua një pistë e përkohshme uljeje për helikopterë, ndërsa ambulancat i transportuan të dëmtuarit nga zona e Tiergarten drejt zonës së Reichstag, prej nga u dërguan në spitale.
Pas përplasjes, organizatorët e Christopher Street Day dhe policia vendosën ndërprerjen e aktiviteteve dhe evakuimin e zonës pranë Portës së Brandenburgut. Pjesëmarrësve iu kërkua të largoheshin në mënyrë të qetë dhe të shmangnin zonën e Kolonës së Fitores (Siegessäule) dhe parkut Tiergarten.
Më herët gjatë ditës, qindra mijëra persona kishin marrë pjesë në marshimin e Krenarisë së Berlinit, në kushte të temperaturave të larta. Gjatë aktivitetit ishte regjistruar edhe një incident tjetër, ku një person i panjohur kishte qëlluar me pushkë ajrore nga një apartament drejt marshimit. Katër pjesëmarrës pësuan plagë të lehta, ndërsa dy efektivë policie nuk u lënduan.
Për sigurinë e aktivitetit ishin angazhuar rreth 2 mijë e 200 efektivë policie.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar një “akt të neveritshëm”. Ai deklaroi se është në kontakt me Ministrin e Brendshëm Federal dhe strukturat e sigurisë për të ndjekur zhvillimet dhe për të garantuar hetimin e plotë të rastit.
Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi incidentin, duke e cilësuar një sulm ndaj “shoqërisë së lirë dhe të hapur”. Ai theksoi se autoritetet kishin marrë masa për mbrojtjen e aktivitetit, por shtoi se “nuk ka kurrë siguri 100%”.
The Berlin Police Department has confirmed that a vehicle drove into a crowd in the Großer Tiergarten area during the Christopher Street Day (CSD/Berlin Pride) celebrations on the evening of July 25, 2026, injuring multiple people.
A vehicle, described in some reports as a white… pic.twitter.com/ZxspAUmMcz
— T_CAS videos (@tecas2000) July 25, 2026
The post Terror në Krenarinë e Berlinit, furgoni futet mes turmës dhe merr përpara njerëzit appeared first on Euronews Albania.
