Pak orë pas arrestimit të dy serbëve, njësitë speciale të Policisë së Kosovës dhe ekipe të Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë zbarkuar në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Në fshatin Kalludër e Vogël janë kryer gërmime për shkak të dyshimeve se aty janë mbetjet mortore të mbi 20 civilëve shqiptarë, që ishin rrëmbyer në prill të vitit 1999 në Mitrovicën Veriore.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka thënë për Euronews Albania zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta.
23 shqiptarë ishin rrëmbyer më 23 prill 1999 nga forcat policore dhe ushtarake serbe, dhe ishin nisur në drejtim të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Fati i tyre nuk është ditur më kurrë. Dy të arrestuarit dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen e rëndë.
The post Dyshime për varrezë masive me trupa shqiptarësh në Zubin Potok appeared first on Euronews Albania.
