Ndërron jetë në moshën 54-vjeçare akademiku dhe trajneri, Artan Pogoni

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një lajm i kobshëm trondit komunitetin e sportit shqiptar. Akademiku Artan Pogoni, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pas një arresti kardiak gjate pushimeve në qytetin e Vlorës.

Një ngjarje e rëndë, e pabesueshme, që lë pas shumë dhimbje dhe trishtim, jo vetëm te familjarët, por miqtë, kolegët, studentët dhe njerëzit që e njihnin. Ai lë pas bashkëshorten, dhe dy fëmijë, djalin dhe vajzën.

Pogoni ka qenë një ndër personalitetet e rralla të sportit të volejbollit, ku fitoi trofe si sportist dhe trajner. Gjithashtu, ishte mik i emisioneve sportive, me analizën e tij të hollë, por edhe batutën dhe sarkazmën ishte unik.

Artan Pogoni kishte një formim të gjerë akademik, i mbështetur në katër diploma universitare, ndërsa mbante titullin doktor i shkencave. Kontributi i tij në literaturën shkencore është i madh, me 12 publikime akademike dhe 2 tekste universitare.

Në Universitetin “Barleti”, mbante detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve.

Përtej karrierës akademike, ai ishte i angazhuar drejtpërdrejt në sportin elitar. Ai ka qenë drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.

The post Ndërron jetë në moshën 54-vjeçare akademiku dhe trajneri, Artan Pogoni appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: