Egnatia eliminohet nga Champions League, sfida me Celjen vendoset nga penalltitë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Egnatia është eliminuar nga raundi i dytë i UEFA Champions League, pasi u mposht nga Celje vetëm pas goditjeve të penalltive në ndeshjen e kthimit të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Slloveni.

Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 2-2, ndërsa nga pika e bardhë skuadra sllovene u tregua më e saktë, duke fituar me rezultatin 4-1.

Ashtu si përballja e parë në Rrogozhinë, edhe sfida e kthimit dhuroi emocione, ritëm të lartë dhe gola deri në minutat e fundit të shtesës.

Kampionët e Shqipërisë kaluan në avantazh në minutën e 21-të, falë një autogoli të shkaktuar nga presioni i Adjessit. Megjithatë, epërsia e Egnatias zgjati vetëm 13 minuta, pasi Kvesic riktheu baraspeshën me një goditje dënimi të ekzekutuar saktë.

Deri në fund të pjesës së parë, Egnatia krijoi edhe dy raste të mira me Albanesen dhe Adjessin, por pa arritur t’i konkretizojë.

Në pjesën e dytë, Celje mori më shumë kontrollin e lojës dhe iu afrua disa herë golit të avantazhit, por 90 minutat u mbyllën në barazim 1-1, duke e çuar ndeshjen në shtesë.

Në minutën e 97-të, Kvesic realizoi golin e dytë personal nga pika e penalltisë, duke kaluar Celjen në avantazh. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kualifikimit të skuadrës sllovene, Egnatia reagoi.

Në minutën e 114-të, Geralb Smajli realizoi një supergol, duke barazuar shifrat në 2-2 dhe duke dërguar gjithçka te goditjet e penalltive.

Nga pika e bardhë, Celje u tregua më e saktë, duke fituar 4-1 dhe duke siguruar kualifikimin.

Pavarësisht eliminimit nga Champions League, Egnatia do të vijojë aventurën europiane në raundin e tretë të UEFA Europa League, ku do të përballet me Shamrock Rovers.

The post Egnatia eliminohet nga Champions League, sfida me Celjen vendoset nga penalltitë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: