Të shtënat nga anija franceze i ndërpresin intervistën, deputeti britanik: Tentativë frikësimi (VIDEO)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një anije patrullimi e Marinës Franceze zhvilloi sot një stërvitje me zjarr të vërtetë në Kanalin Anglez, duke ndërprerë një intervistë të një deputeti britanik për BBC-në, i cili e cilësoi ngjarjen si një “tentativë për ta frikësuar”.

Deputeti konservator, Chris Philp, po jepte një intervistë në bordin e një anijeje peshkimi për rrjetin britanik, ku po fliste për kalimet me gomone të emigrantëve në Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe, kur u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

“Tërheqja e Britanisë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të thoshte që kushdo që kalon Kanalin Anglez dhe mbërrin në Dover mund të deportohet menjëherë, brenda një jave…”, po deklaronte deputeti kur intervista u ndërpre nga të shtënat. Sipas BBC-së, anija ushtarake ndodhej rreth 300 metra larg.

Roja bregdetare franceze konfirmoi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se anija patrulluese “Flamant” po kryente një “stërvitje me armë të vogla pranë Kepit Gris-Nez”.

Sipas autoriteteve franceze, stërvitja u zhvillua “për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë operacionale në kontekstin aktual ndërkombëtar”, ndërsa u sigurua se ishin vendosur shenjat paralajmëruese të përcaktuara.

“Ky ushtrim nuk lidhet me praninë e një anijeje britanike në zonë, e cila ishte jashtë rrezes së zjarrit”, deklaroi roja bregdetare franceze.

Megjithatë, deputeti Chris Philp e kundërshtoi këtë version, duke pretenduar se bëhej fjalë për një përpjekje intimidimi ndaj tij. Ai tha se kishte dëgjuar 17 të shtëna dhe se nuk kishte pasur asnjë paralajmërim për një stërvitje me armë zjarri.

“Nuk kishte paralajmërim për ushtrime me armë zjarri. Ata qëlluan me armë zjarri në një distancë shumë të afërt me ne. Dhe, për aq sa mund të kuptojmë, ata nuk qëlluan para ose pas tyre”, shkroi Philp në një postim në platformën X.

The post Të shtënat nga anija franceze i ndërpresin intervistën, deputeti britanik: Tentativë frikësimi (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: