Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, ka hedhur poshtë spekulimet se do të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e vitit 2027, pavarësisht përpjekjeve të disa drejtuesve të UEFA-s për ta bindur të sfidojë Gianni Infantinon.
Sipas Politico dhe RMC Sport, tensionet mes UEFA-s dhe FIFA-s janë rritur pas planit të FIFA-s për të krijuar dhe shitur një pjesë të të drejtave të saj komerciale, një projekt që kritikët e kanë cilësuar si “shitje të Kupës së Botës”.
“Nasser nuk ka absolutisht asnjë ambicie, asnjë qëllim dhe asnjë interes për këtë rol në FIFA. Ai do të vazhdojë të mbështesë në qetësi institucionet e futbollit botëror dhe evropian,” tha një burim pranë Al-Khelaifit për RMC Sport.
Megjithëse Al-Khelaifi shihej si një kandidat i fortë për shkak të ndikimit të tij si president i PSG-së, kryetar i European Club Association (ECA) dhe drejtues i BeIN Media Group, burime pranë tij i kanë quajtur zërat për kandidimin “thjesht zhurmë mediatike”.
Ndërkohë, Gianni Infantino mbetet favoriti kryesor për një mandat tjetër në krye të FIFA-s.
Sipas RMC Sport, ai vazhdon të gëzojë mbështetje të fortë nga federatat e Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut, të cilat kanë përfituar nga rritja e të ardhurave dhe programet e financimit gjatë drejtimit të tij.
The post UEFA propozon Al-Khelaifin për president të FIFA-s, por ai e refuzon appeared first on Euronews Albania.
