Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar një të dyshuar për veprat penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’ dhe ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’.
Sipas njoftimit bëhet fjalë për një shtetas të Shqipërisë, i cili bazuar në verifikimet e bëra figuronte në sistemet ndërkombëtare të kërkimit me njoftim të kuq (‘’Red Notice’’) të Interpolit.
Në njoftim thuhet se hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Gjermaninë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Shqipërinë, Hungarinë dhe shteteve të tjera partnere, është zbuluar se i dyshuari ka përdorur pesë identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Ndërkohë autoritetet e Shqipërisë thuhet se kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është i dënuar me 17 vjet burgim për “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
Sipas Prokurorisë rasti ka filluar me 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K., është paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit me të cilat ishte pajisur vite më parë.
Në njoftim thuhet se gjatë procedurave të verifikimit, zyrtarët kompetentë kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime se identiteti ishte keqpërdorur.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve të para hetimore, i dyshuari është shoqëruar në polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij. Ai ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të mos u deklaruar. Me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata kompetente ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se me qëllim të verifikimit të identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim të menjëhershëm policor ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat e tij, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve.
“Nga informacionet e pranuara përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari ka përdorur (5) identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe lëvizur në disa shtete evropiane”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i hetimeve të mëtejshme dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, është bërë i mundur identifikimi i identitetit të tij autentik.
“Është konfirmuar se personi i ndaluar është shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet E.K., i cili figuronte në sistemet ndërkombëtare të kërkimit me njoftim të kuq (‘’Red Notice’’) të Interpolit. Autoritetet e Republikës së Shqipërisë kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është i dënuar me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim për veprat penale ‘Vrasje’ dhe ‘Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë’”, thuhet në njoftim.
The post Arrestohet në Prishtinë i dënuari për vrasje në Shqipëri, zbulohet se përdorte 5 identitete appeared first on Euronews Albania.
