Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka pritur përfaqësuesit e partive politike në takim para seancës konstituive të Kuvendit që mbahet më 6 gusht nga ora 10:00.
Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë i kuvendit e do të nis me formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, vazhdon me betimin e deputetëve të rinj, pasohet nga zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, e vetëm kur të plotësohen këto pika, konsiderohet i konstituuar Parlamenti.
Nga dita e konstituimit nis të rrjedhë afati për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, për çka ushtruesja e detyrës së presidentes ka mirëpritur rikthimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje për të përmbushur këta hapa, që nëse nuk ndodhin, e çojnë vendin në zgjedhje.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike u shprehën optimist në gjetjen e një zgjidhjeje për të shmangur zgjedhjet.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre se nuk duan bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, por nuk e përjashtojnë mundësinë e bashkëpunimit për formimin e institucioneve.
Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet më së largu më 7 gusht, sipas afatit kushtetues.
gijotina.com/
The post Negociatat mes partive në Kosovë, LDK lë të hapur mundësinë për bashkëpunimin me LVV për institucionet e reja appeared first on GIJOTINA.
