Shtetasi rus, Samvel Mnacakanjan, u zhvendos në Mal të Zi menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, pasi kundërshtonte luftën.
“Në fillim, vërtet isha entuziast për Malin e Zi dhe për një kohë të gjatë mendoja se isha me shumë fat që ndodhesha këtu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, për shkak të vendimit të Podgoricës për të vendosur viza për shtetasit rusë, Mnacakanjan planifikon të largohet nga Herceg Novi, ku jeton prej katër vjetësh.
“Leja e përkohshme e qëndrimit vlen një vit. Kur të skadojë, duhet të kaloj kufirin, të kthehem në Mal të Zi dhe të paraqes sërish kërkesë. Por, nuk do të mund të kthehem më sepse do të nevojitet vizë. Ky është problemi”, shpjegon ai.
Ai tashmë ka dhënë dorëheqjen nga shkolla ku punonte dhe po shqyrton mundësinë e zhvendosjes në Serbinë fqinje, ku nuk i nevojitet vizë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, të zhvilluar në shtator të vitit 2024, më së shumti ka rusë sa u përket shtetasve të huaj që kanë qëndrim të përhershëm në Mal të Zi.
Të dhënat që Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi i ka dërguar Radios Evropa e Lirë tregojnë se pothuajse 18 mijë shtetas rusë kanë leje të përkohshme qëndrimi, ndërsa më shumë se dy mijë kanë leje të përhershme qëndrimi.
Mali i Zi është vendi i parë në rajon që heq regjimin pa viza për shtetasit rusë.
Komisioni Evropian prej disa vitesh u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malit të Zi, që t’i harmonizojnë politikat e tyre të vizave me rregullat e Bashkimit Evropian, për të zvogëluar rrezikun e migrimit të parregullt dhe keqpërdorimit të regjimit pa viza.
Përveç shtetasve rusë, edhe shtetasit e Bjellorusisë, Turqisë, Kinës dhe Arabisë Saudite nuk do të mund të udhëtojnë më në Mal të Zi pa viza.
Ndryshimet hyjnë në fuqi më 1 nëntor.
Me këtë, Mali i Zi e ka harmonizuar plotësisht politikën e tij të vizave me atë të BE-së, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e vendit.
Nga kjo ministri thanë po ashtu se, njëkohësisht, po “ndërmerren masa” që procesi i pajisjes me vizë malazeze të jetë sa më i thjeshtë dhe i qasshëm.
Ambasadori rus thirret për bisedë
Ambasada ruse në Mal të Zi e sheh vendosjen e vizave si “veprime armiqësore”.
Kjo ambasadë njoftoi se vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit rusë e konsideron “edhe një dëshmi të varësisë ekstreme të Podgoricës nga ndikimi i sponsorëve të saj të huaj, të cilët janë larg asaj që interesat e partnerëve të tyre malazezë t’i vendosin në radhë të parë”.
Për këtë, por edhe për një artikull autorial ku kritikohet vendosja e sanksioneve ndaj Moskës, autoritetet në Podgoricë e thirrën në bisedë ambasadorin rus, Aleksandar Lukashik.
Ato thanë se bëhet fjalë për vlerësime që tejkalojnë kufijtë e komunikimit të zakonshëm diplomatik dhe nuk janë në përputhje me parimet e respektit të ndërsjellë.
Autoritetet malazeze thanë gjithashtu se harmonizimi i plotë i politikës së vizave me atë të BE-së është një vendim sovran i shtetit, i marrë në përputhje me interesat kombëtare dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, dhe se nuk është i drejtuar kundër qytetarëve rusë.
Podgorica, duke ndjekur politikën e BE-së, ka vendosur gjithashtu një sërë sanksionesh ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Këto përfshijnë ngrirjen e pasurisë së një pjese të shtetasve rusë në Mal të Zi, si dhe ndalimin e veprimtarisë së mediave shtetërore ruse.
Në mars të vitit 2022, Moska e përfshiu Malin e Zi në listën e shteteve të huaja që “ndërmarrin veprime armiqësore kundër Rusisë, personave juridikë dhe fizikë rusë”.
Gjatë asaj periudhe, Mali i Zi dëboi pesë diplomatë rusë, ndërsa Rusia, si kundërmasë, shpalli një diplomat malazez në Moskë persona non grata (person të padëshiruar).
Vendosja e vizave prek edhe diasporën ruse që është kundër luftës
Regjimi pa viza ishte një nga arsyet pse në Mal të Zi u formua edhe diaspora ruse kundër luftës.
Shtetasit rusë, të cilët nuk kanë leje qëndrimi, aktualisht mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë. Pas kësaj, ata mund të bëjnë të ashtuquajturin “visa run” – të dalin nga vendi dhe të kthehen menjëherë për të përfituar një periudhë të re qëndrimi prej 30 ditësh.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë më e mundur nga 1 nëntori.
Sipas Samvel Mnacakanjanit, edhe vetë planet e Malit të Zi për anëtarësim në BE kanë ndikuar ndjeshëm te diaspora ruse në këtë vend.
Paralelisht me përgatitjet për vendosjen e vizave, autoritetet në disa raste kanë ashpërsuar rregullat për marrjen e lejes së qëndrimit.
“Gradualisht e kuptova se Mali i Zi nuk është i prirë ndaj nesh. Ata bëjnë gjithçka që të mos qëndrojmë këtu për një kohë të gjatë”, tha Mnacakanjani.
Ndërsa në Rusi po përhapen sërish thashetheme për një mobilizim të ri të mundshëm, ka gjasa të rritet numri i njerëzve që kërkojnë të largohen nga vendi, vlerëson Anastasia Burakova, aktiviste ruse për të drejtat e njeriut.
“Tani, ndër vendet [evropiane] ku rusët mund të hyjnë pa vizë dhe që kanë rregulla mjaft liberale të migracionit, kanë mbetur Armenia, Gjeorgjia dhe Serbia fqinje”, thekson ajo.
Burakova është po ashtu themeluese e organizatës “Kovcheg”, e cila ndihmon rusët që rrezikohen nga përndjekja ose që janë larguar nga vendi për shkak të kundërshtimit të luftës.
Çfarë thonë autoritetet e Malit të Zi?
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi se po ndërmerr “në mënyrë intensive dhe sistematike” aktivitete që do të zbusin efektet e mundshme negative të këtyre ndryshimeve.
Është shpjeguar se, për ta lehtësuar procedurën, kërkesat për vizë malazeze në të ardhmen do të mund të paraqiten edhe në qendrat e vizave të kompanisë VFS Global, e jo vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Malit të Zi.
Ministria njoftoi gjithashtu krijimin e një Sistemi të ri Informativ për Vizat, të harmonizuar me sistemet e BE-së dhe standardet e sigurisë së Schengenit, me synimin për të futur vizat elektronike.
Ekonomisti malazez, Stevan Gajeviq, vlerëson se vizat elektronike nuk do ta “zgjidhin automatikisht problemin”.
“Pengesa administrative nuk pushon së qeni pengesë vetëm pse është zhvendosur nga sporteli në ekran”.
“Prandaj është e domosdoshme të krijohet një sistem vizash i shpejtë, i parashikueshëm dhe me kosto të përballueshme, me afate dhe rregulla të qarta që turistët do t’i dinë paraprakisht”, përfundon ai.
Cilat mund të jenë pasojat negative për vendin?
Qeveria e Malit të Zi deri më tani e ka arsyetuar praktikën e mosharmonizimit të plotë me politikën e vizave të BE-së me interesat ekonomike në turizëm – të ardhurat nga ky sektor përbëjnë rreth një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Gjatë vitit 2025, Malin e Zi e vizituan mbi 2.7 milionë turistë.
Nga numri i përgjithshëm i netëve të qëndrimit, 95.8 për qind u realizuan nga turistët e huaj, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikave të Malit të Zi.
Turistët rusë janë të dytët për nga numri, menjëherë pas vizitorëve nga Serbia. Sa u përket shtetasve turq, si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025, numri i ardhjeve në Mal të Zi ishte mbi 100 mijë.
Ekonomisti malazez Stevan Gajeviq shpjegon se oferta turistike e Malit të Zi është përshtatur prej vitesh për mysafirët nga Rusia, Turqia, rajoni dhe tregje të tjera, turistët e të cilave qëndrojnë më gjatë, përdorin akomodim privat, blejnë prona të paluajtshme dhe kanë konsum të konsiderueshëm në ekonominë lokale.
“Nuk është reale të pritet që tregje të tilla të zëvendësohen brenda natës me turistë nga Bashkimi Evropian, zakonet, pritjet dhe struktura e konsumit të të cilëve shpesh janë të ndryshme. Një riorientim i tillë do të kërkonte vite investimesh, mësimi dhe përshtatjeje të ofertës”, vlerëson ai.
Ai shton se Mali i Zi “duhet ta shqyrtojë me kujdes çdo vendim evropian përpara se ta pranojë automatikisht”.
“Jo sepse duhet vënë në pikëpyetje rruga evropiane, por sepse nuk jemi të sigurt se të gjitha politikat e përbashkëta janë njësoj të dobishme për të gjitha shtetet”, thotë ai.
Sipas tij, vendosja e vizave nuk është vetëm një ndryshim administrativ, por edhe “një vendim ekonomik dhe gjeopolitik me pasoja potencialisht serioze”.
“Do ta kufizojmë qasjen pikërisht në ato tregje nga të cilat varen në masë të madhe turizmi ynë, transporti ajror, tregtia dhe tregu i pasurive të paluajtshme”, thotë Gajeviq për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Turizmit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pasojat e mundshme që mund të ketë vendosja e vizave për ekonominë e Malit të Zi, si dhe për masat që do të ndërmerren për t’i zbutur ato.
Shtetasit e vendeve për të cilat vendosen viza në Mal të Zi
Në Mal të Zi – një vend me rreth 620 mijë banorë – janë të regjistruar rreth 100 mijë shtetas të huaj me leje qëndrimi, prej të cilëve më të shumtët janë rusë.
Në vend qëndrojnë gjithashtu pak më shumë se 10 mijë shtetas turq me leje të përkohshme qëndrimi ose leje pune, ndërsa 103 prej tyre kanë leje të përhershme qëndrimi.
Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2023, pak më shumë se 1.800 qytetarë të Malit të Zi janë deklaruar si turq.
Sa u përket shtetasve kinezë, rreth 500 prej tyre kanë leje të përkohshme qëndrimi, ndërsa pak më shumë se 100 kanë leje të përhershme qëndrimi.
Enti i Statistikave i Malit të Zi regjistroi në vitin 2025 rritje të numrit të vizitave të tyre – mbi 82 mijë – duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2019.
Megjithatë, shtetasit kinezë as më herët nuk kanë mundur të qëndrojnë në Mal të Zi pa vizë në mënyrë individuale, por kjo u ishte mundësuar përmes pakove turistike në grup të organizuara nga agjencitë turistike.
Shtetas të Bjellorusisë me leje qëndrimi të përkohshëm në Mal të Zi aktualisht janë pak më pak se 900, ndërsa 96 kanë leje qëndrimi të përhershëm.
Leje të përkohshme qëndrimi kanë edhe dy shtetas të Arabisë Saudite, ndërsa asnjëri nuk ka leje të përhershme qëndrimi.
Pretendimet për keqpërdorimin e regjimit pa viza
Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, në fund të qershorit paralajmëroi se shtetasit e Kinës, Rusisë dhe Turqisë vazhdojnë të hyjnë në Ballkanin Perëndimor pa viza dhe më pas përpiqen të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën kohë, Brukseli u kërkon vendeve të rajonit të ashpërsojnë politikën e vizave dhe të mbyllin hapësirën për keqpërdorime të tilla.
Me vendosjen e vizave, Mali i Zi përmbushi një nga kriteret përfundimtare për mbylljen e Kapitullit 24 të negociatave të anëtarësimit me BE-në – Drejtësia, Liria dhe Siguria – si dhe një nga detyrimet kryesore të Agjendës së Reformave.
Podgorica konsiderohet se ka gjasat më të mëdha për t’u bërë anëtare e BE-së deri në fund të kësaj dekade, pasi ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave për anëtarësim./ REL
The post Vendosja e vizave largon rusët nga Mali i Zi appeared first on Euronews Albania.
