Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” iu bashkua sot tubimit të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Studentët kërkuan zhbllokimin e institucioneve dhe rifillimin e punës së Kuvendit, duke e cilësuar situatën aktuale si një mesazh të keq për gjeneratën e re.
Granit Spahiu, përfaqësues i grupit të studentëve, tha se bllokimi i institucioneve po dëmton të ardhmen e të rinjve në Kosovë.
Në tubim foli edhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili kritikoi Qeverinë për situatën në vend dhe mundësitë që u ofrohen të rinjve.
Gruda tha se të rinjtë që ishin fëmijë kur Albin Kurti fitoi zgjedhjet në vitin 2020, sot janë studentë ose të diplomuar dhe përballen me mungesë të perspektivës për punësim.
Sipas tij, “e vetmja gjë” që Qeveria u ka ofruar të rinjve pas diplomimit është largimi nga Kosova.
“300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për pesë vjet. Ky nuk është migrim, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës”, deklaroi Gruda.
Ai shtoi se bllokimi i Kuvendit dhe institucioneve e vështirëson edhe më tej krijimin e mundësive për të rinjtë dhe punësimin e tyre pas përfundimit të studimeve.
The post PDK dhe Aleanca protestë para Qeverisë së Kosovës, tubimit i bashkohen dhe studentët appeared first on Euronews Albania.
