Dorëzohen listat e kandidatëve për deputetë në Kosovë, 917 emra në garë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ka përfunduar këtë të mërkurë afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, duke e futur procesin zgjedhor në fazën e verifikimit institucional para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas KQZ-së, në garën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 23 subjekte politike, me 917 kandidatë në total që do të synojnë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i pranimit të listave është zhvilluar gjatë një periudhe 11-ditore, nga 2 deri më 12 maj. Nga subjektet pjesëmarrëse, 18 janë parti politike, 3 koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur, ndërsa 4 parti të tjera nuk kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se pas përfundimit të afatit ka nisur faza e verifikimit të kandidatëve, ku do të kontrollohet përmbushja e kritereve ligjore për secilin prej tyre përpara certifikimit final të listave.

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra. Procesi i certifikimit pritet të përmbyllet deri më 15 maj”, u shpreh Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm pas këtij verifikimi do të finalizohet lista zyrtare e subjekteve dhe kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit në Kosovë.

The post Dorëzohen listat e kandidatëve për deputetë në Kosovë, 917 emra në garë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: