Dalin nga miniera minatorët që ishin bllokuar në Stantërg

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tetëmbëdhjetë minatorët, që ishin ngujuar për disa orë në minierën e Stantërgut kanë dalë nga miniera, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Minatorët ishin bllokuar qindra metra nën tokë që nga ora 01:30 e mëngjesit të 14 majit, njoftoi më herët gjiganti metalurgjik Trepça, pasi kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndërmarrja tha se në momentin e ndërprerjes së rrymës në minierë ishin 47 punëtorë, teksa 29 prej tyre arritën të largoheshin dhe të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, u tha në njoftim.

Ndërmarrja tha se punëtorët e bllokuar në Stantërg – që gjendet afër Mitrovicës – janë të sigurt, teksa ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit të energjisë elektrike.

Më herët Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës tha se ekipi i shpëtimit është në gjendje gatishmërie, ekip që funksionon në kuadër të kombinatit.

“Jemi duke komunikuar me minatorët, gjendja e tyre është stabile. Ekipi është gati për reagim apo për t’iu dërguar ushqim, por pritet që shpejtë të rregullohet problemi me energji elektrike”, deklaroi më herët ai.

Sipas Osmanit, ekipet e Trepçës dhe Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), po punonin për të ndrequr problemin në mënyrë që të minatorët të dalin më ashensorë.

“..sepse për të dal në këmbë terreni është i papërshtatshëm. Janë mbi 800 metra përpjetë, shkallë, ka shumë pluhur, nuk është lehtë të dilet në këmbë”, u shpreh ai.

The post Dalin nga miniera minatorët që ishin bllokuar në Stantërg appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: