Pep Guardiola drejt largimit nga Manchester City? Del surpriza e madhe për të ardhmen e tij

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pep Guardiola pritet të mbyllë aventurën e tij te Manchester City në fund të sezonit, ndërsa mediat angleze kanë nisur të zbulojnë edhe destinacionet e mundshme për trajnerin spanjoll.

Raportimet shpërthyen mbrëmjen e së hënës, gjatë sfidës vendimtare të Arsenal ndaj Burnley, ku u bë e ditur se Guardiola kishte vendosur të largohej nga City pavarësisht rezultatit të garës për titullin kampion.

Deri tani, klubi anglez nuk ka konfirmuar zyrtarisht largimin e teknikut katalanas, ndërsa vetë Guardiola pritet të japë sqarime për të ardhmen e tij para ndeshjes së rëndësishme ndaj Bournemouth.

Sipas raportimeve, ish-ndihmësi i tij dhe aktualisht trajner i suksesshëm, Enzo Maresca, konsiderohet favorit për të marrë drejtimin e skuadrës.

Gjatë një dekade te Manchester City, Pep Guardiola ka ndërtuar një epokë të artë për klubin, duke fituar gjashtë tituj të Premier League, një UEFA Champions League, tre FA Cup dhe pesë Kupa EFL.

Ndërkohë, spekulimet për destinacionin e ardhshëm të Guardiolës janë shtuar ndjeshëm. Një nga opsionet më të përfolura mbetet kombëtarja e Anglisë ku shihet si favorit për të zëvendësuar Thomas Tuchel në të ardhmen.

Aktualisht, Tuchel do ta drejtojë Anglinë në Kupën e Botës 2026 dhe ka rinovuar kontratën deri në EURO 2028, por një paraqitje zhgënjyese mund të ndryshojë gjithçka.

Mes alternativave të tjera për Guardiolën përmenden edhe kombëtarja e Brazilit një rikthim te Barcelona apo edhe te Bayern Munich.

Në të kaluarën, Guardiola ka pranuar publikisht se ideja për të drejtuar një kombëtare e tërheq më shumë sesa një tjetër aventurë në futbollin e klubeve.

“Do të vijë një moment kur do të ndiej se mjafton dhe do të ndalem. Nuk e shoh veten duke lënë Manchester Cityn për të bërë të njëjtën gjë në një klub tjetër. Ndoshta një kombëtare do të ishte ndryshe”, ishte shprehur më herët trajneri spanjoll.

The post Pep Guardiola drejt largimit nga Manchester City? Del surpriza e madhe për të ardhmen e tij appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: