Ekskluzive, Di Marzio tregon sekretet e Maran: I hekurt, ngjan me De Biasi-n!

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Trajneri i kombëtares Rolando Maran ka nisur menjëherë nga puna për t’u përgatitur për miqësoret e muajit qershor.

Profili i teknikut italian ndryshon nga ai i Sylvinhos, megjithatë gazetari i njohur italian Gianluca Di Marzio beson se ai do t’i arrijë objektivat e vendosura nga FSHF.

Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, me gazetarin Thimi Samarxhiu, Di Marzio zbuloi disa nga karakteristikat kryesore të Maran, ndërsa e krahasoi me De Biasin.

“Kanë ngjashmëri me De Biasin sepse vijnë nga të njëjtat zona, nga të njëjtat terrene, të njëjtat zona të Italisë. Të dy kanë pasur eksperiencë në Serinë A dhe B. Dhe më kujtohet kur kam folur me Dukën për De Biasi-n, e kam këshilluar pikërisht për këtë, sepse është një trajner i mësuar me një eksperiencë të larmishme në kampionatin italian. Kurse Maran ka pikërisht këto karakteristika dhe për këtë arsye është zgjedhur, sepse ka këtë ngjashmëri me De Biasi-n.

Pa i hequr asgjë trajnerëve të ardhur më vonë, të cilët kanë qenë njësoj profesionistë, mendoj që i përshtatet këtij lloj trendi e këtyre njerëzve, burrave elegantë edhe nga pikëpamja e raporteve njerëzore dhe që kanë njohuri për futbollin”, u shpreh ai.

Gianluca Di Marzio, tregoi se Maran është një trajner i hekurt, ndërsa beson se do ta arrijë objektivin.

“Është një trajner i cili, për shembull te Catania, kur ka pasur një skuadër me talente të mëdha, ka qenë një trajner i hekurt. Në një ekip tjetër ka qenë më pragmatik. Pra varet nga situata. Në Cagliari ka qenë gati duke kapur kualifikimin e Champions League me një skuadër e cila nuk kishte një kualitet të lartë teknik.

Është një trajner shumë serioz, profesionist, nuk flet shumë, nuk ka slogane ose batuta mediatike për t’u dhënë tituj të rëndësishëm gazetave, por është një trajner i cili punon në fushë dhe që do të vlerësohet me vepra më shumë sesa me fjalë. Dhe shpresoj të eci mirë sepse unë e njoh atë prej vitesh. Është një njeri i thjeshtë, shumë modest, siç jeni ju shqiptarët, dhe për këtë arsye unë mendoj që do të ketë një raport shumë të mirë.

Nuk është një njeri që ka nevojë për maska apo për filtra. Është fjalëpak, është një trajner normal. Në një moment ku ky treg është i mbushur me trajnerë pak skizofrenikë edhe të çmendur, ai bën diferencën si njeri, është një njeri normal”, theksoi ai.

Sa i përket të ardhmes së Igli Tares te Milan, gazetari Di Marzio, u shpreh:

“Tare ka arritur rezultate ekonomike dhe teknike në Milan. Në një vit ka marrë ai Allegri-n dhe ka qenë një zgjedhje e cila po rezulton fituese, sepse Milani ka ardhur nga pozicioni i 10-të dhe këtë vit është një hap larg Champions League-ut. Dhe me Allegri-n po e arrijnë këtë objektiv, me vështirësi por po e arrijnë. Shohim Juventusin që rrezikohet që mos t’ia dali, pavarësisht investimeve të shumta.

Nga pikëpamja ekonomike, edhe aty ka arritur të gjitha objektivat sepse ka bërë disa shitje të rëndësishme, të cilat shoqëria ia kishte kërkuar për të mbajtur bilancet në vijë, dhe e ka bërë. Ka marrë disa lojtarë si Modriç, që e ka mbushur mendjen ai, që ka pasur ai vendosmërinë për ta blerë atë për Milanin. Pastaj ka marrë edhe lojtarë të tjerë të cilët kanë padyshim nevojë për kohë, si Jashari që ka pasur disa probleme shëndetësore. Kështu që unë mendoj që pak mund të flasim apo ta kritikojmë.

Te Milani ka disa dinamika në nivel, ka disa dinamika të çuditshme. Ka disa drejtorë të cilët duan të zgjedhin blerjet dhe është e qartë që Igli mund edhe mos të vazhdojë aventurën e tij te Milani. Por kjo jo për arsye meritokracie, por sepse nuk ka punuar me autonominë që ai meriton, që kurrikulumi i tij meriton dhe puna që ka bërë për Milanin. Kështu që, në qoftë se e shihni të largohet nga Milani, nuk është sepse ai nuk e meriton, por për arsye të tjera”, u shpreh ai.

Kuqezinjtë do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore në qershor ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, ku Maran do të ketë mundësinë të shohë nga afër futbollistët e kombëtares dhe të nisë ndërtimin e skuadrës së tij.

The post Ekskluzive, Di Marzio tregon sekretet e Maran: I hekurt, ngjan me De Biasi-n! appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: