“Pamje të papranueshme”, Meloni reagon ndaj Izraelit për videon ndaj aktivistëve humanitar në Gaza

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, reagoi ashpër ndaj trajtimit të aktivistëve të ndaluar nga autoritetet izraelite pas ndërhyrjes ndaj flotiljes humanitare “Sumud”, duke i cilësuar “të papranueshme” pamjet e publikuara nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.

“Imazhet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme”, shkroi Meloni në platformën X, duke shtuar se është “e papranueshme që këta demonstrues, mes tyre shumë shtetas italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që shkel dinjitetin njerëzor”.

Reagimi i saj vjen pasi Ben-Gvir publikoi një video nga porti izraelit i Ashdod-it, ku shfaqen aktivistë të ndaluar të flotiljes duke u tërhequr me forcë nga policia, të detyruar të gjunjëzohen dhe me duart e lidhura pas shpine.

Meloni bëri të ditur se qeveria italiane ka nisur menjëherë veprime në “nivelet më të larta institucionale” për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të përfshirë.

“Italia kërkon gjithashtu një ndjesë për trajtimin e rezervuar ndaj këtyre demonstruesve dhe për shpërfilljen totale ndaj kërkesave të qarta të qeverisë italiane”, deklaroi ajo.

Për këtë arsye, Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar do të thërrasë menjëherë ambasadorin izraelit në Romë për të kërkuar “sqarime formale” mbi ngjarjen.

Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë deklaruar se të gjithë 430 aktivistët e flotiljes janë transferuar drejt Izraelit dhe do të lejohen të takojnë përfaqësues konsullorë të vendeve të tyre.

The post “Pamje të papranueshme”, Meloni reagon ndaj Izraelit për videon ndaj aktivistëve humanitar në Gaza appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: