Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka vlerësuar emërimin e trajnerit të ri italian Rolando Maran në krye të kuqezinjve, duke e cilësuar atë si një profesionist serioz, realist dhe punëtor. Në një intervistë për “Now” me Esmeralda Mulajn, De Biasi tha se vazhdimësia me një trajner italian është pozitive për Shqipërinë, duke theksuar afërsinë mes dy vendeve dhe mentalitetit të ngjashëm në futboll.
Sipas De Biasit, sfida kryesore e Maranit do të jetë ruajtja e rritjes së Kombëtares shqiptare dhe ngritja e saj në një nivel edhe më të lartë, me objektivin madhor kualifikimin në Kupën e Botës. Ish-trajneri që dërgoi Shqipërinë për herë të parë në Europian nënvizoi se kombëtarja ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me vitin 2012 dhe se puna e Federatës ka ndërtuar një realitet shumë më konkurrues për kuqezinjtë.
“E kam takuar Maranin edhe si kundërshtar në kampionat. Është një person serioz, që punon shumë dhe i lidhur me realitetin. Nuk është njeri që premton me fjalë, por me punë. Shpresoj që të bëjë një punë të mirë me Shqipërinë. Ai është një punëtor i jashtëzakonshëm dhe ka atë urinë për të kërkuar gjithmonë më shumë, për të kapërcyer limitet dhe për ta çuar skuadrën sa më lart. Sot Shqipëria është një realitet krejt ndryshe nga ai që gjeta në vitin 2012. Kombëtarja është rritur vazhdimisht falë punës së Federatës dhe planifikimit në vite. Tani njerëzit kërkojnë gjithmonë diçka më shumë dhe objektivi duhet të jetë kualifikimi në Botëror, por edhe arritja e rezultateve në Europian. Problemi më i vogël janë skemat apo pozicionet e lojtarëve. E rëndësishme është të kemi sa më shumë futbollistë në gjendje të mirë fizike. Në futboll lojtarët lëvizin dhe gjithçka varet nga organizimi i lojës. Marani ka eksperiencën dhe cilësitë për ta bërë këtë punë mirë, por duhet kohë që të njohë karakterin dhe cilësinë e secilit lojtar”, tha ai.
De Biasi u ndal edhe te gjendja e futbollistëve shqiptarë, duke theksuar se zgjedhjet e para të Maranit nuk do të jenë të lehta për shkak të mungesës së minutave të disa lojtarëve në klubet e tyre megjithatë, ai u shpreh i bindur se trajneri italian ka eksperiencën dhe kapacitetin për të ndërtuar një skuadër të organizuar dhe konkurruese, ndërsa kërkoi mbështetje për trajnerin e ri në vazhdimësinë e projektit të Kombëtares.
The post Gianni De Biasi: Shqipëria mund të synojë Botërorin me Maranin, është punëtor appeared first on Euronews Albania.
