Skandal në UKT! Qytetarët “gjobiten” me faturat e ujit, ujëmatësit shiten 5 herë më shtrenjtë se në treg

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Qytetarë të shumtë shprehen të  revoltuar për faturat e larta të ujit që po u shkojnë në banesa muajt e fundit. Sipas tyre, pas zëvendësimit të ujëmatësve nga UKT, vlera e faturave është rritur ndjeshëm, duke arritur deri në 80 apo 90 mijë lekë të vjetra për familje.

Qytetarët denoncojnë se vetëm kostoja e ujëmatësit të ri, bashkë me vulën dhe pajisjet e montimit, arrin nga 40 deri në 45 mijë lekë të vjetra. Kësaj i shtohet edhe konsumi mujor i ujit për një familje normale, që sipas tyre shkon rreth 15 mijë lekë të vjetra, si dhe taksat bashkiake, duke bërë që fatura finale të rezultojë më e lartë edhe se energjia elektrike.

Ajo që ngre më shumë dyshime është mungesa e transparencës. Në faqen zyrtare të UKT-së nuk gjendet asnjë informacion i detajuar lidhur me tenderin e ujëmatësve, kompaninë fituese, mënyrën si është zhvilluar gara apo koston reale të pajisjeve.

Nga verifikimet e kryera në tregun e lirë, një ujëmatës standard kushton jo më shumë se 8 euro, ndërsa në faturat e qytetarëve ai rezulton të faturohet me vlera që afrohen me 40 mijë lekë të vjetra. Diferenca ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e prokurimit dhe menaxhimit të këtij procesi.

Shumë banorë ankohen se nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë fatura të tilla, ndërsa shtojnë se ndërrimi i ujëmatësve duket se është kthyer në një praktikë që përsëritet sa herë ndryshojnë drejtuesit e institucionit.

Dyshimet janë të forta nëse kemi të bëjmë me një procedurë normale apo me një skemë të favorizimit dhe fryrjes së kostove në kurriz të qytetarëve.

The post Skandal në UKT! Qytetarët “gjobiten” me faturat e ujit, ujëmatësit shiten 5 herë më shtrenjtë se në treg appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: