Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një event mirënjohjeje dhe falenderimi për ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, si edhe për dy zëvendëstrajnerët, Dorival Junior dhe Pablo Zabaleta, për kontributin dhe punën e tyre gjatë tre viteve e gjysmë në krye të kuqezinjve.
Në aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, administrata e Federatës, përfaqësues të medias, ish-futbollistë të Kombëtares, sponsorë dhe bashkëpunëtorë të institucionit.
Duka falenderoi stafin teknik për profesionalizmin dhe përkushtimin, duke veçuar si moment kulmor kualifikimin historik dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në UEFA Euro 2024. Si shenjë mirënjohjeje, trajnerëve iu dhuruan fanella të Kombëtares me mbishkrimin “Forever”, në vlerësim të kontributit të tyre në historinë e futbollit shqiptar.
Presidenti i FSHF-së theksoi se stafi teknik ka lënë gjurmë jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për mënyrën dinjitoze se si përfaqësoi fanellën kuqezi. Ai sqaroi se ndryshimi i stafit vjen si pjesë e mbylljes së një cikli dhe hapjes së një etape të re për ekipin Kombëtar, e jo për mungesë rezultatesh apo motivimi.
“Në këtë histori, keni marrë edhe një pjesë të historisë së Shqipërisë, një pjesë të historisë sonë dhe të Kombëtares sonë. Ne jemi sot këtu për t’ju falenderuar për kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, që është simboli i futbollit shqiptar dhe i të gjithë shqiptarëve. Gjatë këtyre tre viteve kemi përjetuar momente të bukura dhe të vështira, por kulmi ka qenë vendi i parë në grup në eliminatoret e Europianit dhe pjesëmarrja në Euro 2024, një moment historik për të gjithë ne. Ne kemi vendosur ta ndryshojmë stafin e ekipit Kombëtar sepse kështu funksionon futbolli. Mbyllet një cikël dhe hapet një tjetër. Jo për mungesë rezultatesh, motivimi apo përkushtimi. Një falenderim shumë i madh për të gjithë kontributin tuaj për ekipin Kombëtar. Derën në Shqipëri do ta keni gjithmonë të hapur”, tha Duka.
Nga ana e tij, Sylvinho u shpreh krenar për periudhën në krye të Kombëtares shqiptare, duke theksuar se përtej rezultateve sportive, ajo që do të mbetet më shumë në zemrën e tij janë marrëdhëniet njerëzore dhe bashkëpunimi me stafin e Federatës.
“Kur dikush merr përsipër një punë, e bën atë me 100%. Ka raste kur puna shkon mirë dhe raste kur nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë gjatë këtyre tre viteve e gjysmë. Që nga dita e parë kemi thënë se ‘Ne jemi një’.Përtej Europianit apo rezultateve, ajo që do të mbetet gjithmonë në zemrën time janë njerëzit. Kam pasur mundësi të njoh shumë prej jush, të bisedoj dhe të ndaj momente të bukura gjatë punës së përditshme në Federatë. Raporti njerëzor është gjëja që nuk do ta harroj kurrë. Secilin prej jush e kam në zemrën time. Faleminderit shumë dhe mirupafshim”, tha Sylvinho.

The post FSHF event mirënjohjeje për Sylvinho dhe stafin teknik: Duka: Keni shkruar histori me Shqipërinë appeared first on Euronews Albania.
