Java e Europës në Tiranë, gazetarja Alice Taylor prezanton krijimet e saj në një ekspozitë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gazetarja Alice Taylor prezantoi pesë piktura të reja në vaj gjatë një mbrëmjeje artistike të organizuar nga Ambasada Çeke në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve të Javës së Europës 2026. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e “Hapësirës së Hapur” dhe u shoqërua me një performancë xhazi nga pianisti shqiptar Genti Shahini.

Në këtë mbrëmje artistike, Alice Taylor prezantoi për publikun pesë punime të reja në vaj, ndërsa ndau edhe emocionet dhe historinë personale pas krijimit të tyre.

“Fillova të pikturoj në janar të vitit 2025, gjatë një periudhe shumë stresuese të jetës sime. Nisa të shfletoj një arkiv me rreth 30 mijë fotografi që kam realizuar gjatë udhëtimeve të mia nëpër Shqipëri. Zgjodha imazhet që më prekën më shumë dhe fillova t’i pikturoj. Këto punime janë krijuar posaçërisht për këtë ekspozitë. E nisa projektin me shumë entuziazëm, por në mes të tij, babai im ndërroi jetë, gjë që natyrisht e rëndoi emocionalisht gjithë procesin. Pas disa javësh, gjeta sërish frymëzim dhe forcën për të vazhduar. Prandaj kjo ekspozitë është shumë personale për mua. Çdo pikturë mbart emocione të ndryshme brenda saj”, tha ajo.

Aktiviteti mblodhi artistë, diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe dashamirës të artit, të cilët ndoqën edhe koncertin festiv të pianistit virtuoz Genti Shahini.

Gjatë performancës së tij, Shahini interpretoi kompozime origjinale, si edhe pjesë të njohura nga emra të mëdhenj të xhazit modern ndërkombëtar, duke krijuar një atmosferë elegante dhe të ngrohtë për të pranishmit.

Mbrëmja artistike ishte pjesë e kalendarit të aktiviteteve të Javës së Europës 2026, e cila këtë vit solli në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe sociale.

The post Java e Europës në Tiranë, gazetarja Alice Taylor prezanton krijimet e saj në një ekspozitë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: