Mbrëmja e derbit mes Torino FC dhe Juventus FC është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes ultrasve jashtë stadiumit “Olimpico Grande Torino”.
Sipas mediave italiane, grupet e tifozëve të të dy skuadrave tentuan të përballeshin me njëri-tjetrin pranë stadiumit, ndërsa ndaj policisë u hodhën shishe dhe sende të forta. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Nga incidentet mbeti i plagosur rëndë një tifoz 45-vjeçar i Juventusit, i cili pësoi traumë në kokë dhe u transportua me urgjencë në spital në “kod të kuq”. Sipas raportimeve, ai nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Situata krijoi kaos edhe brenda stadiumit. Ultrasit bardhezi kërkuan që skuadra të mos zbriste në fushë në shenjë proteste, ndërsa kapiteni Manuel Locatelli zhvilloi bisedë me tifozët për të qetësuar situatën.
Për shkak të tensioneve, fillimi i ndeshjes u shty për rreth një orë, ndërsa policia arrestoi dhe identifikoi disa tifozë të përfshirë në përleshje.
The post Tensione dhe përleshje para derbit Torino-Juventus, një tifoz plagoset rëndë appeared first on Euronews Albania.
