Delegacioni i kongresistëve amerikanë po qëndrojnë në Kosovë ku gjatë ditës do të takohen me krerët shtetërorë në Kosovë.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve, arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm shqiptarë në jug të Serbisë.
Self tha se pasi mësuan për problemet reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, vizita në Kosovë zhvillohet për të “mësuar për pakicën serbe atje”.
“Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve në Luginë të Preshevës.
Gjatë ditës, kongresistët do të takohen me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Një javë më parë, Kurti njoftoi se kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, përfshirë edhe me Selfin.
“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, tha Kurti përmes një postimi në X, pas bisedës.
Vizita e kongresistëve vjen pasi në prill, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
The post Kongresistët amerikanë takohen sot me krerët shtetërorë në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
