Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë të ndërmjetësojë mes Ukrainës dhe Rusisë dhe as të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara në procesin e paqes.
Deklarata është bërë nga Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, pas debateve të shumta mbi përcaktimin e një të dërguari të posaçëm nga blloku.
Çështja, që ka përçarë shtetet anëtare dhe ka nxitur spekulime mbi kandidatët e mundshëm, ishte në krye të agjendës gjatë një takimi informal të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare këtë të enjte në Lemesos të Qipros.
“Një gjë është shumë e qartë: Evropa nuk do të jetë kurrë një negociator neutral mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi ne jemi në anën e Ukrainës dhe po mbrojmë interesat tona të sigurisë”, tha Kallas në përfundim të takimit.
Ajo theksoi se qasja neutrale është e pamundur. “Ne nuk mund t’i trajtojmë ata si të barabartë, pasi kemi qëndruar qartë përkrah Ukrainës dhe Ukraina ka nevojë që BE të ribalancojë negociatat dhe të sigurojë koncesione nga pala ruse”, shtoi kryediplomatja e Unionit.
Procesi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka ngrirë që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, që ka përthithur të gjithë energjinë diplomatike të Shtëpisë së Bardhë dhe e ka lënë Ukrainën mënjanë.
“Të gjitha përpjekjet tona duhet t’i shtohen atyre të Shteteve të Bashkuara dhe ministrat ishin po ashtu shumë të qartë për këtë”, vijoi Kallas.
Kievi po ndihet gjithnjë e më i frustruar nga ngërçi i negociatave të ndërmjetësuara nga Uashingtoni dhe u ka bërë thirrje publikisht partnerëve evropianë që të përfshihen.
The post Kallas: Bashkimi Evropian nuk do të jetë ndërmjetës neutral me Rusinë appeared first on Euronews Albania.
