Politika, propaganda dhe mediat po bëhen pjesë e proceseve gjyqësore shumë para se të flasë gjykata.
Kështu vlerësojnë profesorë universitarë, analistë dhe ish-prokurorë, sipas të cilëve opinioni publik gjithnjë e më shpesh krijon bindje për fajësinë apo pafajësinë në bazë të fushatave mediatike dhe deklaratave politike.
“Është normale që Qeveria të shpalle luftë ndaj krimit, por jo ndaj gjyqesorit. Të gjitha qeveritë nuk respektojnë ndarjen e pushteteve. Por VMRO është duke kultivuar idenë që nëse fiton në zgjedhje, ke të drejtë të përzihesh në gjyqësor. Pra ato besojnë se është në rregull, nuk e shohin si problem”, tha Gordan Kallajxhiev – profesor universitar.
Ish-prokurori Mustafa Hajrullahi thotë se në raste të caktuara krijohet atmosferë publike që e dëmton prezumimin e pafajësisë dhe vetë funksionimin e drejtësisë, ndërsa edhe ai vetë e ka ndjerë në lëkurë propagandën mediatike dhe sulmin politik vetëm sepse po bënte punën e tij.
“U ballafaqova me propagandë të paparë nga disa media që në çdo mënyrë mundoheshin ta shtrembëronin fotografinë reale të Prokurorisë. Tani pyes nëse ato media që dikur donin ta nxirrnin fytyrën e zezë të Prokurorisë, tani kanë kërkuar informacione lidhur me funksionimin e Prokurorisë pas pezullimit dhe dorëheqjes sime”, thekson ish-prokurori.
Sipas gazetarit Lubisha Nikollovski, perceptimi publik sot ndërtohet shumë shpejt përmes ciklit mediatik dhe PR-it politik.
“Opinioni publik, mediat, PR po formojnë perceptimin e përgjithshëm. Mjafton të hapet dyshimi, dhe të fillojë cikli mediatik, fjalët e fuqishme, dhe opinioni të sjellë verdikt dhe si pasojë të fillojë presioni ndaj institucioneve”, shtoi gazetari Nikollovski
Analisti politik Sefer Selimi vlerëson se institucionet ende nuk kanë arritur të shkëputen nga ndikimi partiak.
“Në sistemin gjyqësor i kemi ato që i quaj luledielli, apo që me çdo ndryshim qeverie kthehen nga ata që e marrin qeverisjen dhe bien nën presionin e tyre. Demokracia jonë kurrë nuk arriti ta kuptojë ndarjen e pushteteve, dhe të ndajë shtetin nga partitë”, tha analisti
Ekspertët paralajmërojnë se pa institucione të pavarura dhe pa respektim të prezumimit të pafajësisë, besimi i qytetarëve në drejtësi do të vazhdojë të zbehet.
The post Ekspertët: Vendimet e gjyqësorit në RMV ndikohen nga mediat dhe përfshirja e politikës appeared first on Euronews Albania.
