“Rritja e kapaciteteve transmetuese, 5 projekte të reja mes Shqipërisë dhe fqinjëve”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Flet Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit

 

Investimet në përshtatje të zhvillimeve të brendshme dhe kryesisht rritjes së kapacitetit të instaluar prodhues në burime të rinovueshme nuk e kanë ndalur Operatorin e Sistemit të Transmetimit në planet për rritjen e kapaciteteve transmetuese ndërkufitare.

Në një intervistë për “Monitor”, Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, nënvizon se përveç linjës me Maqedoninë e Veriut, ku po punohet për finalizimin e saj, janë në plane edhe disa linja të tjera me vendet fqinje.

Ai sjell në vëmendje një linjë të re 400 kv me Greqinë, një projekt të ri me Kosovën, linja nënujore me Italinë, për të aktualisht po nënshkruhen termat e referencës me Transmetuesin Italian, teksa pas një investimi në Koman, potenciali është edhe për dy linja të reja me Malin e Zi.

 

Viti 2023 kishte një tablo tërësisht të ndryshme në raport me vitin 2022 për sektorin e energjisë, me një zbehje graduale të efekteve të krizës. Si ishte ky vit për Operatorin e Transmetimit të Energjisë në lidhje me aktivitetin? Si është reflektuar situata e përgjithshme e sektorit të energjisë e vitit 2023 në bilancin e kompanisë?

Bilanci i shoqërisë për vitin 2023 ka rezultuar pozitiv. Të ardhurat totale për vitin 2023, në bilancin e shoqërisë,  kanë rezultuar rreth 1% më të larta se një vit më parë. Rreth 49% të të ardhurave totale e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike dhe 20% të ardhurat nga alokimi i kapaciteteve për interkoneksionet. Shpenzimet totale për vitin 2023 kanë rezultuar rreth 40% më të ulëta se një vit më parë. Rreth 49% të tyre e zënë shpenzimet që lidhen me kostot e transmetimit.

 

Cilat janë sfidat me të cilat është përballur OST gjatë vitit të shkuar?

Kërkesa për energji elektrike në Sistemin e Transmetimit gjatë vitit 2023 ka qenë 7.3 TWh, ndërkohë prodhimi vendas për vitin 2023, në krahasim me vitin 2022 ka shënuar rritje me 26%.

Rrjedhimisht sfida kryesore ka qenë përgatitja e rrjetit të transmetimit për absorbimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe garantimin e sigurisë nëpërmjet linjave të interkoneksionit, duke qenë se vihet re një rritje e flukseve tranzit të energjisë elektrike nga vendet fqinje, si pasojë e zhvillimit të burimeve të rinovueshme në rajonin e Europës Juglindore.

 

Dinamikat demografike, por edhe zhvillimi i turizmit dhe investimeve në energji, po formësojnë një realitet krejt të ri në terren, ku nevojiten investime për t’ju përgjigjur kërkesave. Si po u përshtatet OST këtyre zhvillimeve me investime dhe cilat janë disa prej projekteve kryesore që po zbatohen?

Sistemet e Fuqisë së energjisë elektrike kanë evoluar në vitet e fundit dhe Operatori i Transmetimit OST sh.a. duhet t’u përgjigjet zhvillimeve të ngarkesës dhe burimeve gjeneruese të energjisë elektrike.

Në vijimësi, OST sh.a. investon në rrjetin e transmetimit, duke zgjeruar kapacitetet e transmetimit nëpërmjet rehabilitimit të impianteve ekzistuese, por edhe duke ndërtuar linja ose nënstacione të reja si p.sh. ndërtimi i linjës 400 kV me Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i nënstacionit 220 kV të Hoxharës me linjat përkatëse për absorbimin e burimeve të rinovueshme.

Zgjerimi i nënstacionit të Fierit në rrjetin 400 kV, gjithashtu do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për Jugun e Shqipërisë, ku për shkak të turizmit ka dhe rritje të pritshme të ngarkesës.

Ndërkohë që nga tetori i vitit 2023 është vënë në operim Nënstacioni Shumbatit dhe linja Komsi – Shumbat. Ka përfunduar ndërtimi i linjës 110 Kv Librazhd-Prrenjas, ka përfunduar ndërtimi i linjës 220 Kv Hoxharë-Fier, si dhe është kryer upgrade i Nënstacionit të Golemit.

 

Tashmë, Bursa e Energjisë ka hyrë në vitin e dytë të funksionimit të saj. Cilat janë përfitimet që ka marrë tregu nga kjo hallkë e rëndësishme, sipas OST, që është mbajtësi kryesor i aksioneve?

Bursa e Energjisë ofron një mekanizëm transparent për vendosjen e çmimeve të energjisë elektrike, që mund të ndihmojë në sigurimin e aksesit të drejtë në rrjet për të gjithë pjesëmarrësit e tregut.

Transparenca mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit midis OST dhe pjesëmarrësve të tregut. Kjo përmirëson stabilitetin e rrjetit dhe të lehtëson përdorimin e burimeve të energjisë së pastër.

Ne sot kemi bashkimin e tregut të energjisë Shqipëri-Kosovë për ditën në avancë, i cili lejon më shumë mundësi për optimizimin e kapaciteteve të transmetimit, në mënyrë më efikase, duke ulur kostot dhe duke përmirësuar performancën e rrjetit.

Ky bashkim ndihmon në integrimin më të mirë të burimeve të ndryshme të energjisë, përfshirë energjitë e rinovueshme, duke ofruar një sistem më të integruar dhe më të qartë për çmimet dhe informacionin e tregut, duke e bërë më të lehtë për OST dhe për pjesëmarrësit e tjerë në treg të kuptojnë dhe të parashikojnë kushtet e tregut.

 

Bursa

Bursa e Energjisë ofron një mekanizëm transparent për vendosjen e çmimeve të energjisë elektrike, që mund të ndihmojë në sigurimin e aksesit të drejtë në rrjet për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Transparenca mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit midis OST dhe pjesëmarrësve të tregut. Kjo përmirëson stabilitetin e rrjetit dhe të lehtëson përdorimin e burimeve të energjisë së pastër.

 

Në kushtet aktuale të tregjeve të energjisë, cilat janë sfidat me të cilat përballet OST sa u takon kapaciteteve të interkoneksionit, rezervimit të tyre, kostove të transmetimit, disbalancat apo elemente të tjera të lidhura me rrjetin?

OST ka në planin e zhvillimit ndërtimin e disa linjave interkoneksioni. Përfundimi i linjës 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut. Jemi në fazën e studimit të fizibilitetit të një tjetër interkoneksioni me Greqinë, linja 400 kV Fier-Arachtos.

Janë miratuar në projektet PECI (nga Komiteti Energjisë) 2 linja të tjera interkoneksioni Fierzë-Prizren dhe ringu 400 kV i Tiranës dhe është aplikuar për grant për të kryer studimin e fizibilitetit pranë WBIF me mbështetjen e EBRD. Jemi gjithashtu në fazën e nënshkrimit të termave të referencës me OST Italiane, TERNA për linjën nënujore midis Shqipërisë dhe Italisë.

Është aplikuar për grant pranë WBIF edhe për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e një nënstacioni të ri 400 kV në Vaun e Dejës, i cili do të shërbejë nesër edhe për ndërtimin e dy linjave të reja të interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Rritja e kapaciteteve transmetuese shërben si për importin dhe eksportin e energjisë elektrike ashtu edhe në kalimin tranzit të saj drejt vendeve të tjera, duke rritur të ardhurat e OST.

 

Linja me Maqedoninë e Veriut

Punimet po vazhdojnë në lotet përkatëse, ku për Lotin 1 po vijojnë punimet civile në të dy segmentet e linjës për ndërtimin e bazamenteve dhe ngritjen e shtyllave përkatësisht në segmentet Fier – Elbasan dhe Elbasan – Qafë-Thanë. Ndërsa për lotin 2, po vijojnë punimet civile për rrugët e brendshme dhe të aksesit në nënstacione, si dhe punimet civile për ndërtimin e bazamenteve të portaleve dhe pajisjeve në të dy nënstacionet Elbasan 3 dhe Fier. Projekti (në tërësi, për të dy lotet) parashikohet të përfundojë në qershor 2026.

 

Në çfarë faze ka arritur linja 400 kv me Maqedoninë e Veriut dhe kur parashikohet që të përfundojë?

Punimet po vazhdojnë në lotet përkatëse, ku për Lotin 1 po vijojnë punimet civile në të dy segmentet e linjës për ndërtimin e bazamenteve dhe ngritjen e shtyllave përkatësisht në segmentet Fier – Elbasan dhe Elbasan – Qafë-Thanë.

Ndërsa për lotin 2, po vijojnë punimet civile për rrugët e brendshme dhe të aksesit në nënstacione, si dhe punimet civile për ndërtimin e bazamenteve të portaleve dhe pajisjeve në të dy nënstacionet Elbasan 3 dhe Fier.

Projekti (në tërësi, për të dy lotet) parashikohet të përfundojë në qershor 2026.

 

Si paraqitet situata e detyrimeve të ndërsjella të kompanive të energjisë specifikisht për OST?

Për sa u përket detyrimeve të ndërsjella të kompanive të energjisë elektrike, situata paraqitet e qëndrueshme ku kompanitë e energjisë elektrike vijojnë me shlyerjen e detyrimeve korrente, si dhe atyre të prapambetura, në zbatim të marrëveshjeve përkatëse për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Ky trend vijon edhe gjatë vitit 2024.

 

Nga ecuria e deritanishme e vitit 2024, si mendoni se do të jetë ai për OST, duke qenë se ka kaluar më shumë se gjysma e tij?

Duke u nisur nga rezultatet e deritanishme të arritura për vitin 2024, situata financiare e shoqërisë duket pozitive dhe stabiliteti financiar i qëndrueshëm. Nisur nga treguesit faktikë, si dhe vlerësimet e përditësuara për periudhën e mbetur të vitit 2024, pritet që dhe viti 2024 të mbyllet me një rezultat financiar pozitiv.

Intervistoi: Nertila Maho

 

Lexoni edhe:

200 VIP-at e 2023; “Dorëzimi” i bizneseve

 

The post “Rritja e kapaciteteve transmetuese, 5 projekte të reja mes Shqipërisë dhe fqinjëve” appeared first on Revista Monitor.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *