Fotot/ Si heshtën miqtë e Erion Veliajt në sakrifikimin e tij politik

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një fije e hollë, thuajse e pakuptimtë shprese për ta mbajtur gjallë karrierën politike, iu këput përfundimisht Erion Veliajt të martën në mbrëmje, kur me një të rënë të lapsit, Edi Rama i mbivendosi deputetët dhe ministrat socialistë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke i dhënë fund zyrtarisht çdo iluzioni për një rikthim të “Lalit”.

Nënkryetarët e fundit të mbetur në detyrë, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Anuela Ristani, u larguan me një urdhër të thjeshtë të Edi Ramës në mbledhje. Sigurisht që rasti i Anuela Ristanit është më i komplikuari. Menjëherë pas arrestimit të Veliajt ajo ishte e para që e mohoi shefin e saj, me shpresën naive se, në mungesë të tij do të ishte e përzgjedhura e Ramës. Ëndrra e Anuela Ristanit zgjati deri ditën kur Belinda Balluku u shfaq në korridoret e Bashkisë.

Të martën në mbrëmje Rama e kaloi në stol rezervë, e ngarkuar me një funksion teknik: digjitalizimin.

Qendra e gravitetit në bashki tani e ka emrin Belinda Balluku. Për ditë të tëra, zv.kryeministrja ka lënë punët e zyrës sa saj dhe ka kryer disa intervista me drejtorët e bashkisë, duke kërkuar të kishte pranë vetëm sekretarin e përgjithshëm, dhe duke përjashtuar demonstrativisht Ristanin nga procesi.

Kuptohet se për publikun flitet për një riorganizim administrativ, por në thelb po ndodh pastrimi i trashëgimisë së Veliajt, për ta zhveshur atë plotësisht nga çdo ndikim të mëparshëm.

Pas mbledhjes që drejtohej nga Edi Rama, kryeministri u pa në humor bashkë me dy vartëset e tij, Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku, të cilat i ngarkoi me kompetenca të reja në bashki.

Ndërkohë gjatë diskutimeve, ishte Balluku që propozoi një skemë riorganizimi të Bashkisë, pas inspektimeve në terren që, me sa duket, kanë nxjerrë në pah disa“problematika”, një fjalë që në gjuhën e partisë përkthehet në ndëshkime të tjera për drejtorët e mbetur në bashki.

Për këtë qëllim, është ngritur një grup pune ku bëjnë pjesë Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhja dhe Petrit Malaj, të cilët janë caktuar të intervistojnë kandidatët e rinj për nënkryetarë bashkie.

Qartësisht, mbledhja ishte në vazhdën e një procesi që po përgatit epokën postVeliaj, por ajo që ra në sy ishte se ftesat shkonin përtej zyrtarëve të bashkisë dhe të qeverisë.

Ishte në mbledhje edhe Klotilda Bushka, ish-deputete e Partisë Socialiste, kushërirë e Ajola Xoxës dhe një nga njerëzit më të afërt të Erion Veliajt, e cila është edhe nën hetim nga SPAK për intimidimin e një dëshmitareje në procesin ndaj tij.

Ishte aty edhe Toni Gogu, ish-deputet i Partisë Socialiste, njëkohësisht pastori që martoi Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën, një njeri shumë i afërt me kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës.

Ishte edhe Etjen Xhafaj, po ashtu ish-deputet i Partisë Socialiste që nuk mundi të zgjidhej për një mandat të dytë, pasi Rama e kritikoi për mbrojtjen publike që i kishte bërë Erjon Veliajt pas arrestimit të tij, një kritikë që duket se u lexua nga baza e partisë ditën e votimit.

Ishte edhe Genc Kojdheli, bashkëudhëtar me Erion Veliajn që nga G99 e më vonë, dhe një nga bashkëpuntorët e tij më të afërt në karrierën politike dhe në bashkinë e Tiranës.

Ishte edhe Arbjan Mazniku, aktualisht ministër në qeverinë Rama dhe deputet, një nga njerëzit e më të afërt të Erion Veliajt, të cilin së fundmi ai kërkonte të kishte komunikim edhe kur ishte në qelitë e paraburgimit në Durrës.

Pavarësisht marrëdhënies së ngushtë që kanë pasur me Veliajn, asnjë prej tyre nuk guxoi të kundërshtojë, të flasë, apo të ngrejë një pyetje të thjeshtë; nëse ky kalim i bashkisë në duart e Belinda Ballukut ishte një braktisje “de facto” e “Lalit” përballë akuzave të prokurorëve të SPAK apo jo?

Të qartë se ky është një proces i dytë ndëshkimi, që po ndodh jashtë qelive, ku Veliaj po ekzekutohet politikisht, njerëzit e tij kanë heshtur.

Ndaj dhe kryebashkiakut, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të reagojë vetë nga burgu i Durrësit, ku ka lëshuar një thirrje të fundit përmes avokatëve të tij. Pasi shpreh shqetësimin për një informacion që dyshohet se ka kaluar tek gazetarët para se të kalojë tek ai, Veliaj lëshon një shprehje të fundit të revoltës nëpërmjet avokatëve që thonë se: “Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur”.

Por tanimë duket se është shumë vonë. Ankesat bien në veshët e shurdhër, edhe të atyre që e shoqëruan për vite dhe ndërtuan karrierat politike falë tij dhe që tani po përpiqen t’i ruajnë përmes heshtjes për sakrifikimin e tij./Lapsi.al

The post Fotot/ Si heshtën miqtë e Erion Veliajt në sakrifikimin e tij politik appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: