Avokatët e Veliajt: Burgosja e paarsyeshme, e panevojshme dhe joproporcionale!

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Pas komunikimit zyrtar të akuzave nga SPAK ndaj kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët e cilësojnë ndalimin e klientit të tyre si të pajustifikuar, të zgjatur në mënyrë të pajustifikueshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor.

Në një deklaratë publike, avokatët ndërkombëtarë bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur shqyrtimin e provave të dorëzuara nga Prokuroria e Posaçme dhe do të përdorin çdo mjet ligjor për të kundërshtuar akuzat dhe për të mbrojtur interesat e Veliajt.

“Z. Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të tij është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional,” thuhet në deklaratë.

Ata nënvizojnë se ndalimi ka hyrë në ditën e 163-të, ndërkohë që nuk është paraqitur asnjë provë e besueshme që të justifikojë mbajtjen e tij në burg. Për më tepër, sipas tyre, zbatimi i masës së sigurisë nuk është vlerësuar sipas kritereve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Një tjetër pikë kritike që ngre mbrojtja ndërkombëtare ka të bëjë me pengesat në përfaqësimin ligjor:

“Fatkeqësisht, prej gati tre muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja.”

Avokatët shprehin gjithashtu shqetësimin për rrjedhjet e informacionit nga dosja hetimore drejt mediave, të cilat sipas tyre cenojnë të drejtën për një gjykim të paanshëm dhe përbëjnë shkelje të hapur të sekretit hetimor, sipas ligjit shqiptar.

REAGIMI I PLOTE I AVOKATEVE TE VELIAJT

Sot, 163 ditë pas ndalimit të z. Erion Veliaj, rezultatet e hetimit të zgjatur nga SPAK i janë dorëzuar nga ana e prokurorisë së posaçme. Avokatët e z. Veliaj mund të nisin tashmë shqyrtimin e provave të çështjes, të kundërshtojnë qëndrimin e SPAK-ut ndaj tij dhe të paraqesin prova në mbështetje të mbrojtjes.

Z. Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të z. Veliaj është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional. Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja.

Si një funksionar i zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilit i është pamundësuar ushtrimi i mandatit, është thelbësore që SPAK të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të tij. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo është bërë.

Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me ekipin ligjor vendas të z. Veliaj dhe të ndjekim çdo mjet ligjor të mundshëm.

The post Avokatët e Veliajt: Burgosja e paarsyeshme, e panevojshme dhe joproporcionale! appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: