Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Policia ka vënë në pranga edhe nënën e 26-vjeçares Ermalinda Rama, e cila vrau babain e saj, Anesti Rama, në banesën familjare në fshatin Frashër të Fierit.
Sipas hetimeve paraprake, pas krimit të rëndë, vajza së bashku me të ëmën kanë tentuar të fshihnin ngjarjen duke pastruar trupin e viktimës dhe duke e paraqitur vdekjen si pasojë e një ngjarjeje aksidentale. Megjithatë, nëna e të resë ka mohuar përfshirjen e saj në vrasje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 26-vjeçarja e ka mbytur të atin me tel dhe së bashku me të ëmën, e kanë dëmtuar trupin, përfshirë edhe në pjesët intime, për të krijuar një skenar të besueshëm për policinë.
Pas krimit, Ermalinda ka telefonuar shërbimet e urgjencës duke pretenduar se babai kishte ndërruar jetë aksidentalisht. Por dyshimet e para të ekspertëve dhe veprimet hetimore zbuluan se 56-vjeçari kishte humbur jetën në rrethana të dhunshme.
E reja ka pranuar në polici se ka kryer krimin, duke dhënë edhe arsyet që e shtynë drejt këtij akti ekstrem. Ajo ka deklaruar se i ati ishte i dhunshëm, fanatik dhe ushtronte presion të vazhdueshëm ndaj saj, duke i ndaluar veshjen e lirë dhe daljet për argëtim. Ajo ka shtuar se shpesh përballeshin me debate të ashpra, pasi i ati nuk i jepte para kur ajo i kërkonte.
Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë, ndërkohë që pritet edhe konfirmimi i plotë i rolit të nënës në këtë krim tronditës që ka shokuar opinionin publik.
The post 26-vjeçarja mbyti babain me tel, arrestohet edhe e ëma appeared first on Lapsi.al.
