Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Megjithëse ka pasur shumë denoncime dhe indicie për vjedhje, SPAK nuk ka nisur ende hetim ndaj miliona eurove fonde shtetërore që Fidel Ylli, përfaqësues i partisë në pushtet dhe kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, ka shpërdoruar në emër të financimit të ekipeve sportive shkollore. Me vendim qeverie të datës 23 korrik 2025, kryeministri Edi Rama i ka akorduar Komitetit Olimpik Shqiptar edhe 5 milionë euro të tjera për të ashtuquajturat ekipe sportive të shkollave, duke e çuar totalin e fondeve të dhëna në 12 milionë euro. Këto fonde janë akorduar me kërkesë të Fidel Yllit dhe me propozim të ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, duke ndryshuar për herë të tretë vendimin nr. 893, datë 27.12.2022. Fondet janë marrë nga buxheti i planifikuar për rikonstruksionin e shkollave në zonat rurale.

Në këtë vendim, përcaktohet se 250 milionë lekë i janë dhënë si fond për vitin 2022, 350 milionë lekë për vitin 2023 dhe 150 milionë lekë për vitin 2024. Njëkohësisht, 200 milionë lekë janë dhënë për ndërkombëtarizimin e sporteve dhe aktivitetet jashtë vendit, ndërsa për vitin 2025 janë parashikuar 308 milionë lekë të tjera, prej të cilave 10 milionë për sportin e shahut.
Sipas këtij vendimi dhe dy të mëparshmëve, Komiteti Olimpik Shqiptar ka detyrim të paraqesë çdo vit në muajin shkurt projektet dhe shpenzimet e realizuara, por ky detyrim nuk është respektuar asnjëherë. Për vitin 2025, afati është shtyrë në muajin gusht, por precedentët flasin për një tjetër mungesë transparence. Dyshimet për abuzim thellohen nga fakti se në vendimin e parë është përcaktuar edhe numri i llogarisë bankare në Raiffeisen Bank (0050249325), ndërsa në vendimet pasuese ky informacion mungon. Burime konfidenciale konfirmojnë se Ministria e Arsimit, e cila është përgjegjëse për fondet e ekipeve sportive të shkollave, nuk ka kryer asnjë auditim, ndërsa Ministria e Financave nuk është lejuar të ushtrojë kontrollin e saj mbi përdorimin e këtyre fondeve.

Në vendimin e 10 tetorit 2024, qeveria kishte ndryshuar për herë të dytë vendimin fillestar, duke i dhënë Fidel Yllit edhe 5 milionë euro të tjera, kësaj here të marra nga fondet për ngrohjen e shkollave. Së fundmi, më 23 korrik 2025, fondet janë shtuar sërish, duke ndikuar negativisht në buxhetin e planifikuar për rikonstruksionin e shkollave në zonat rurale. Ndërkohë që mungon çdo formë e kontrollit institucional, miliona euro fond publik kalojnë në duart e Fidel Yllit pa transparencë dhe pa raportim të projekteve konkrete.
Skema është e qartë: qeveria transferon fonde nga nevojat bazike të sistemit arsimor drejt projekteve të paaudituara në emër të sportit, ndërsa SPAK, që duhet të hetojë këtë aferë, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

/Pamfleti/
The post “Fideli i Partisë”, miliona euro “rrush e kumbulla” me fondet e shkollave/ Rama i jep edhe 5 milionë të tjera për aktivitetet fantazmë appeared first on GIJOTINA.
