Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një zhvillim i fundit nga SPAK ka nxjerrë në dritë një skemë komplekse që lidh krimin e organizuar me biznesin dhe pushtetin lokal. Fadil alias Julian Balla, i shpallur në kërkim si anëtar i grupit kriminal “Çopja” në Elbasan, rezulton të jetë pronar i disa bizneseve që kanë përfituar edhe nga fondet publike.
Balla, i njohur gjithashtu si president i ekipit të futbollit “Erzeni”, ndodhet në arrati, ndërsa SPAK ka sekuestruar një sërë pasurish të tij, duke përfshirë kompleksin turistik “Ajman Park” në Shijak dhe një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 1 milion euro. Këto prona dyshohet se janë ndërtuar me para të përfituara nga trafiku i drogës.
Tenderi i dyshimtë me Bashkinë Shijak
Një nga lidhjet më të forta të Ballës me fonde publike është kompania e tij AMR shpk. Kjo kompani fitoi vetëm pak muaj më parë një tender me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë nga Bashkia Shijak për menaxhimin e mbetjeve urbane. Tenderi, i denoncuar më parë në emisionin investigativ “Piranjat”, u konsiderua me “flamur të kuq” për shkak të mungesës së konkurrencës, pasi AMR ishte e vetmja kompani pjesëmarrëse dhe fitoi me një ofertë prej 99.7% të fondit limit.
Gjatë investigimit, u zbulua se mbetjet nuk po depozitoheshin në landfillin e Sharrës, siç parashikohej në kontratë, por në një landfill ilegal në fshatin Hardhishtë. Kjo ngre dyshime të forta mbi mënyrën e zbatimit të kontratës dhe integritetin e procesit.
Rasti i Julian Ballës bëhet edhe më i ndërlikuar për shkak të lidhjeve të tij familjare dhe politike. Balla është nipi i deputetit socialist Ilir Ndrazhi dhe dyshohet se ka financuar fushatën e Partisë Socialiste në Durrës, duke mbështetur pikërisht deputetin Ndrazhi.
Kjo sugjeron një skemë ku, sipas akuzës, grupet kriminale shfrytëzohen për financime elektorale në këmbim të favoreve, siç janë tenderat publikë apo mbrojtja nga drejtësia, përpara se të goditen nga autoritetet.
The post Trafiku i kokainës, Elton Arbana si ‘zar’ i Julian Ballës – Si i dha tenderin 1.2 mln euro për mbetjet appeared first on GIJOTINA.
