Sot dy vite nga 7 tetori/ Hamasi e Izraeli në tryezë për të pushuar luftën

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Pas dy vitesh lufte, ekziston një mundësi për një marrëveshje që mund t’i japë fund vrasjeve dhe shkatërrimit në Gaza dhe të kthejë pengjet izraelitë, të gjallë dhe të vdekur, te familjet e tyre.

Është një mundësi, por nuk është e sigurt që do të shfrytëzohet nga Hamasi dhe Izraeli.

Një rastësi e zymtë është fakti që këto bisedime po zhvillohen pikërisht dy vjet pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, që shkaktuan një traumë ende të gjallë te izraelitët.

Sulmet e 7 tetorit vranë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë izraelitë, dhe 251 persona u morën peng. Izraelitët vlerësojnë se rreth 20 pengje janë ende gjallë dhe kërkojnë kthimin e trupave të 28 të tjerëve.

Përgjigjja shkatërruese ushtarake e Izraelit ka rrënuar pjesën më të madhe të Gazës dhe ka vrarë mbi 66,000 palestinezë, kryesisht civilë, përfshirë më shumë se 18,000 fëmijë.

Këto shifra vijnë nga Ministria e Shëndetësisë që mbetet pjesë e administratës së mbetur të Hamasit. Statistikat e saj janë konsideruar përgjithësisht të besueshme. Një studim i revistës mjekësore The Lancet, me bazë në Londër, sugjeroi madje se shifrat mund të jenë nënvlerësuar.

Izraelitët dhe palestinezët duan që lufta të përfundojë. Izraelitët janë të lodhur nga lufta dhe sondazhet tregojnë se shumica duan një marrëveshje që të kthejë pengjet dhe të sjellë fundin e luftës.

Qindra mijëra rezervistë në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) duan të kthehen në jetën e tyre pas shumë muajsh në shërbim aktiv.

Mbi dy milionë palestinezë në Gaza po përballen me një katastrofë humanitare, të bllokuar mes zjarrit të IDF-së dhe urisë, në disa zona edhe një urie të shkaktuar qëllimisht nga kufizimet izraelite për ndihmën humanitare.

Versioni i Hamasit që ishte në gjendje të sulmonte Izraelin me forcë shkatërruese dy vjet më parë, është thyer prej kohësh si organizatë e strukturuar ushtarake. Ai është shndërruar në një forcë guerile urbane që po zhvillon një kryengritje kundër IDF-së në rrënojat e Gazës.

Hamasi po kërkon një mënyrë për të mbijetuar, edhe pse ka pranuar t’i dorëzojë pushtetin teknokratëve palestinezë. Ai pranon se do t’i dorëzojë ose do të çmontojë armët e rënda që i kanë mbetur, por dëshiron të mbajë mjaftueshëm armë për t’u mbrojtur nga palestinezët që kërkojnë hakmarrje për gati dy dekada sundimi brutal dhe për katastrofën që sollën sulmet e tij.

Edhe pse nuk e thotë publikisht, një organizatë që ende ka ndjekës dhe një statut që kërkon shkatërrimin e Izraelit, do të dëshirojë të dalë nga kjo situatë me aq fuqi sa të mund të rindërtojë kapacitetet e saj, për të përmbushur kuptimin e emrit të vet: Lëvizja e Rezistencës Islamike. 

Izraeli dhe kalkulimet politike

Izraeli do të dëshironte të diktonte kushtet e një dorëzimi të Hamasit. Por fakti që Hamasi ka një mundësi për negociata serioze hap më shumë horizonte se sa dukej e mundur vetëm një muaj më parë.

Në atë kohë, Izraeli kishte tentuar pa sukses të vriste udhëheqësit e Hamasit në një sulm ajror në Doha, ku ata po diskutonin propozimet e paqes të Donald Trump-it. Shënjestra kryesore, udhëheqësi i lartë Khalil al-Hayya, po udhëheq tani delegacionin e Hamasit në bisedimet në Sharm el-Sheikh. I biri i tij u vra në atë sulm, por liderët e tjerë shpëtuan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka në mendje një lloj tjetër mbijetese. Ai dëshiron të ruajë pushtetin, të shtyjë gjyqin për korrupsion, të fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe të mos mbahet mend si udhëheqësi përgjegjës për dështimet e sigurisë që çuan në ditën më vdekjeprurëse për hebrenjtë që prej Holokaustit nazist.

Për ta arritur këtë, ai ka nevojë për një mënyrë të besueshme për të shpallur “fitoren e plotë”, një frazë që e ka përsëritur shpesh. Ai e ka përkufizuar si kthimin e pengjeve, shkatërrimin e Hamasit dhe çmilitarizimin e Gazës. Nëse nuk arrin dot këto, nuk do të mjaftojë të theksojë dëmin real që Izraeli i ka shkaktuar armiqve të tij në Liban e Iran gjatë dy viteve të fundit.

Bisedime indirekte dhe ndikimi amerikan

Negociatorët e Hamasit dhe Izraelit nuk do të takohen ballë për ballë. Zyrtarët egjiptianë dhe të Katarit do të shërbejnë si ndërmjetës, ndërsa amerikanët, që do të jenë gjithashtu të pranishëm, mund të kenë ndikimin më vendimtar.

Baza e bisedimeve është plani 20-pikësh i paqes për Gazën i Donald Trump-it.

Lexo më tej: Dokumenti i komentuar/ Ç’thonë 20 pikat e Trump për Gazën 

Pavarësisht postimeve të tij të vazhdueshme në rrjetet sociale për “paqen e përhershme”, ky plan nuk do t’i japë fund konfliktit të gjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve për kontrollin e tokës midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe. Ai nuk përmend fare të ardhmen e Bregut Perëndimor, pjesa tjetër e territoreve që Britania dhe vende të tjera e njohin si shtetin e Palestinës.

Rreziku dhe shanset në Sharm el-Sheikh

Në Sharm el-Sheikh janë shumë gjëra në lojë. Ekziston një mundësi për të arritur një armëpushim që mund të çojë drejt përfundimit të luftës më shkatërruese dhe më të përgjakshme në mbi një shekull konfliktesh arabo-hebraike.

Sfida e parë është të përcaktohen kushtet për lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm dhe të palestinezëve të Gazës, të arrestuar pa gjyq që nga nisja e luftës, një detyrë aspak e thjeshtë.

Presidenti Trump kërkon rezultate të shpejta. Ai dëshiron të ringjallë ambicien për të ndërmjetësuar një marrëveshje të madhe në Lindjen e Mesme, në qendër të së cilës do të ishte normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Por kjo nuk mund të ndodhë ndërkohë që Izraeli po vret një numër kaq të madh civilësh palestinezë në Gaza dhe po kufizon ndihmën humanitare, ndërsa Hamasi ende mban pengje izraelite.

Sauditët, nga ana e tyre, kanë deklaruar publikisht se normalizimi nuk mund të ndodhë pa një rrugë të qartë dhe të pakthyeshme drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez.

Trump detyroi Netanyahun të nënshkruante një dokument që përmban një referencë të paqartë për mundësinë e shtetësisë palestineze. Në deklaratën pasuese, Netanyahu e injoroi këtë duke përsëritur zotimin e tij se “palestinezët kurrë nuk do të kenë shtet.” 

Në dokumentin e Trump-it ka shumë elementë që Izraeli i do, si eliminimi i fuqisë së Hamasit dhe përcaktimi i së ardhmes së qeverisjes në Gaza.

Por Netanyahu është mësuar të marrë gjithmonë atë që dëshiron në Shtëpinë e Bardhë. Këtë herë, Trump e detyroi të lexojë një falje formale drejtuar kryeministrit të Katarit për sulmin ajror që dështoi të asgjësonte drejtuesit e Hamasit. Trump ka nevojë për Katarin që ta mbajë planin në lëvizje.

Pse Hamasi po jep pengjet?

Një nga pyetjet është pse Hamasi është gati të lirojë pengjet pa një afat të qartë për tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe përfundimin e luftës.

Një mundësi është që Katari i ka bindur ata se Trump do ta sigurojë këtë nëse i jepet mundësia të shpallë një fitore përmes kthimit të të gjithë pengjeve izraelite, të gjallë dhe të vdekur.

Megjithatë, Trump po përdor ende gjuhën që Netanyahu ka nevojë ta dëgjojë në Izrael, si kërcënimin e tij ndaj Hamasit nëse refuzon marrëveshjen, duke premtuar “mbështetjen time të plotë për Izraelin që të shkatërrojë Hamasin.” 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se do të duhen vetëm disa ditë për të parë nëse Hamasi është serioz. Zgjidhja e detajeve të ndërlikuara të marrëveshjes do të kërkojë më shumë kohë. Për momentin, ajo që ekziston është vetëm korniza e Trump-it. 

Dy vjet pasi konflikti i gjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve shpërtheu në luftën e Gazës, sfida është si të ndalet vrasja dhe të sigurohet një e ardhme e menjëhershme për të dy popujt.

Kjo do të kërkojë diplomaci të hollë dhe angazhim të gjatë me detaje, diçka që mungon në planin 20-pikësh të Trump-it. Gjetja e formulimeve të sakta për të mbushur boshllëqet do të jetë një burim pengesash të shumta.

Faktori Trump

Askush nuk ka një vlersim më të lartë për aftësinë e vet për të bërë marrëveshje sesa vetë Donald Trump. Por në politikën e jashtme, rezultatet nuk kanë përputhur kurrë me mburrjet e tij. Ai nuk ka zgjidhur dot një varg konfliktesh, dhe nuk përmbushi premtimin për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë “brenda një dite”. 

Megjithatë, një aftësi që Trump e ka me të vërtetë, pas një jete në pasuri të paluajtshme, është instinkti për të ushtruar presion për të marrë atë që dëshiron.

Bisedimet indirekte në Egjipt po ndodhin sepse Trump arriti të ushtrojë presion mbi të dyja palët. Kërcënimi ndaj Hamasit me “asgjësim” nëse refuzon planin ishte pjesa e lehtë.

Presidentët amerikanë kanë udhëhequr prej kohësh presionin ndërkombëtar ndaj Hamasit që nga fitorja e tij në zgjedhjet palestineze të vitit 2006 dhe marrja e dhunshme e Gazës nga Fatah në 2007.

Por ndryshe nga Clinton, Obama apo Biden, Trump po godet më fort dhe më prerë përpjekjet e Netanyahut për ta manipuluar, nga sa ishin të gatshëm apo të aftë ta bënin paraardhësit e tij demokratë.

Trump e mori “po”-në” e kushtëzuar të Hamasit si një po për paqe dhe vendosi të ecë përpara. Sipas raportimeve të Axios, kur Netanyahu u përpoq ta bindte se Hamasi po fitonte kohë, Trump iu përgjigj:

“Pse je kaq dreq negativ?” 

Izraeli mbetet plotësisht i varur nga Shtetet e Bashkuara. SHBA është një partner i plotë në këtë luftë. Pa ndihmën amerikane, Izraeli nuk do të mund të kishte zhvilluar një fushatë kaq të ashpër dhe të gjatë në Gaza. Shumica e armëve të tij furnizohen nga SHBA, e cila gjithashtu e mbron politikisht dhe diplomatikisht, duke vënë veto ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonin ndalimin e luftës.

Ndryshe nga Joe Biden, që nuk përdori asnjëherë ndikimin që vjen nga kjo varësi, Trump e vuri në lojë fuqinë amerikane për ta detyruar Netanyahun të ulej në tryezë, të paktën për t’u bashkuar në bisedime.

Dy palë nën zjarr kritikash

Të dyja delegacionet, izraelite dhe të Hamasit, kanë kundërshtarë të fuqishëm në vendet e tyre që duan vazhdimin e luftës.

Burime të Hamasit i thanë BBC-së se komandantët ushtarakë ende në Gaza janë të gatshëm të luftojnë deri në fund dhe të marrin me vete sa më shumë izraelitë që të mundin.

Ndërkohë, koalicioni i Netanyahut varet nga mbështetja e ekstremistëve ultranacionalistë që besonin se ishin pranë ëndrrës së tyre për të dëbuar palestinezët nga Gaza dhe për t’i zëvendësuar me kolonë hebrenj.

Nëse bisedimet në Egjipt dështojnë, të dy skenarët përfundimtarë, një luftë deri në shfarosje ose një paqe e brishtë, mbeten po aq të mundshëm.

Përshtatur nga BBC, përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Sot dy vite nga 7 tetori/ Hamasi e Izraeli në tryezë për të pushuar luftën appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: