Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ngjarja tronditëse e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë ku u ekzekutua me armë gjyqtari Astrit Kalaja, ka prekur drejtpërdrejt sistemin gjyqësor shqiptar dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe klimën në të cilën ushtrohet funksioni gjyqësor në vend.
Në këtë kontekst, Gjykata e Lartë bën të ditur në një njoftim zyrtar se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet ditën e enjte, më 9 tetor 2025, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kjo mbledhje vjen si një moment i rëndësishëm bashkimi dhe qëndrueshmërie për sistemin e drejtësisë, me mesazhin e qartë se dhuna, kërcënimet dhe presionet nuk do të lëkundin pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve shqiptarë.
Deklarata e Gjykatës së Lartë:
Ngjarja e rëndë dhe e dhimbshme e ndodhur së fundmi, që tronditi thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik, ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se:
• asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë;
• asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën;
• asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.
Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.
Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri.
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë.
The post Vrasja e Astrit Kalasë/ Gjykata e Lartë thërret mbledhje kombëtare të gjyqtarëve appeared first on Lapsi.al.
