Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Dy ndeshjet e fundit janë futur në fazën e numërimit mbrapsht: Kombëtarja ka nisur grumbullimin në Barcelonë, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë, të vlefshme për Botërorin 2026. Tre fitore radhazi natyrisht që japin moral, pa harruar se ndeshja për tu fituar është ajo kundër skuadrës së fundit në grup. Mario Mitaj ka folur para ndeshjes jo pa kujdes: “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë presim, i njohim kundërshtarët, sidomos ndeshja e parë ndaj Andorrës, e cila është shumë e rëndësishme, ku duhet të jemi të gjithë shumë të fokusuar”.
Mbrojtësi i Kombëtares theksoi se grupi ndodhet në një moment shumë të mirë dhe se objektivi i ekipit është fitorja. “Jemi këtu pas tre ndeshjeve të fituara, jemi në një moment shumë të mirë. Besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë se s’bën, duhet të futemi vetëm për fitore – tha Mitaj, që shtoi – I njohim kundërshtarët si Andorra, të cilët mbrojnë shumë dhe rrinë mbrapa, por besoj se mënyra se si do të futemi ne në lojë, sa të përqendruar do jemi, do të bëjë diferencën.”
Lexo më tej: “Vjen jo se luan 10 ndeshje me Real”: Sylvinho zbulon kriterin pse lë jashtë Mehmetin
Në fund, mbrojtësi kuqezi e mbylli me objektivin e qartë të grupit për dy ndeshjet e ardhshme: “Objektivi është vetëm që të shkojmë në play-off, jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë. Ky është objektivi, të shkojmë në play-off”, – theksoi ndër të tjera Mitaj.
The post “I njohim ata si Andorra”: Mitaj i bie alarmit nga Barcelona, sfida fitohet në fushë appeared first on Lapsi.al.
