Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Problematikat në qarkun e Korçës janë shfaqur të shpërndara në disa bashki, me dëmtime që prekin argjinatura, rrugë rurale, sistemin e kullimit dhe furnizimin me energji në disa zona të izoluara.
Në Bashkinë Maliq, po punohet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll, të cilat paraqesin rrezik për përmbytje të tjera.
Në Bashkinë Pogradec, përveç dëmeve në rrugët dhe pronat familjare, u evidentuan problematika serioze në pastrimin e pusetave dhe menaxhimin e rrjedhjeve të lumenjve, veçanërisht në zonat e Verdovës dhe Rëmenjit. Humbja e 50 metrave të korsisë së biçikletave përbën një tjetër tregues të erozionit të fortë.
Është verifikuar gjithashtu shkarje dherash pranë rezervuarit Stropskë 2, e cila po vlerësohet nga ekipet e emergjencave, duke ngritur shqetësime për sigurinë e rezervuarit.
Nga ana e furnizimit me energji, OSHEE raporton se Fideri 6 i Nënstacionit Mollas ka lënë pa energji 11 abonentë në zonën Kurtesh, ndërsa pjesa tjetër e fiderave funksionon normalisht.
Drejtoria Qendër–Lindje e ARRSH njofton se në aksin Qafë Plloçë – Qukës po vijojnë punimet për pastrimin e inerteve nga rruga, pasi reshjet kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Megjithë punën e strukturave në terren, shumë zona të qarkut Korçë vijojnë të përballen me dëmtime strukturore dhe problematika që po kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme dhe afatgjata.
The post ‘Argjinatura të çara dhe zona pa energji elektrike’, Qarku Korçë përballet me dëme nga reshjet appeared first on GIJOTINA.
