Rrëshqitjet e dheut vazhdojnë në Siçili, situata mbetet kritike për 1,500 banorë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Situata në qytetin Nissemi në Siçilinë lindore mbetet kritike. Rrëshqitjet e dheut vazhdojnë dhe gjatë natës, në zonën pranë luginës së Gelës.

Autoritetet kompetente kanë vendosur të zgjerojnë “zonën e kuqe”, me një ndalim të ri hyrjeje për banorët. Qytetarët, në grupe të vogla, mund të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm për rreth dhjetë minuta për të marrë sendet e nevojshme nga apartamentet e tyre.

Ekspertët theksojnë se ky fenomen gjeologjik, i cili filloi 20 vjet më parë dhe u intensifikua javën e kaluar për shkak të një vale të fortë moti të keq, nuk pritet të ndalet për shkak të tokës ranore të zonës. Fronti i rrëshqitjes së dheut tejkalon katër kilometra në total .

Pjesa më e madhe e shtypit thekson se rrëshqitja e parë e dheut u regjistrua në vitin 1997 dhe se që atëherë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje efektive për t’u përballur me këtë fenomen. Prokurorët kanë hapur një hetim për shkaktimin e një katastrofe natyrore nga neglizhenca.

Ndërkohë, udhëheqësit e opozitës po kërkojnë që fondet që ishin miratuar për ndërtimin e urës që do të lidhë Messinën e Siçilisë me Kalabrinë, të përdoren për t’u dhënë përgjigje të menjëhershme më shumë se një mijë e pesëqind banorëve të Nissemit, të cilët u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre. Megjithatë, si Ministri italian i Transportit Matteo Salvini ashtu edhe Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci e refuzuan kërkesën.

Të mërkurën, më 4 shkurt, Musumeci do t’i drejtohet Dhomës dhe Senatit të Romës me një raport të detajuar mbi rrëshqitjen e dheut në Nisemi, e cila përfshiu lëvizjen e 350 milionë metrave kub tokë ranore. Megjithatë, qendra e majtë dhe Lëvizja Pesë Yje këmbëngulin që parlamenti të mos informohet për këtë nga Ministri i Mbrojtjes Civile, por nga Kryeministrja Giorgia Meloni.

The post Rrëshqitjet e dheut vazhdojnë në Siçili, situata mbetet kritike për 1,500 banorë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: