Gati tre dekada pas vdekjes së Kurt Cobain, një hetim i ri i pavarur ka rikthyer në qendër të vëmendjes rrethanat e fundit të jetës së vokalistit të Nirvanës, duke sfiduar përfundimin zyrtar se ai kreu vetëvrasje.
Cobain u gjet i vdekur në shtëpinë e tij më 5 prill, në moshën 27-vjeçare. Autoritetet përcaktuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e një plage me armë zjarri, në një periudhë kur artisti vuante nga depresioni dhe abuzimi me drogën.
Vdekja e tij tronditi botën e muzikës dhe e shndërroi atë në një ikonë tragjike të Gjeneratës X.
Megjithatë, teoritë e konspiracionit nuk u shuan kurrë. Dyshime mbi autenticitetin e shënimit të vetëvrasjes dhe mbi marrëdhëniet e tij u trajtuan edhe në dokumentarin e vitit 1998.
Së fundmi, një ekip mjeko-ligjor ka publikuar një dokument të rishikuar nga kolegët, duke pretenduar se Cobain mund të ketë qenë viktimë e një vrasjeje të inskenuar si vetëvrasje. Sipas tyre, ai mund të jetë përballur me një ose më shumë persona, të ketë marrë një mbidozë të detyruar heroine dhe më pas të jetë qëlluar në kokë.
Ekipi ngre dyshime edhe mbi pozicionimin e armës dhe mungesën e njollave të gjakut në dorën e tij.
Studiuesja Michelle Wilkins, e përfshirë në hetim, deklaroi për mediat britanike se analizat e autopsisë sugjerojnë shenja që përputhen më shumë me një mbidozë sesa me një vdekje të menjëhershme nga arma e zjarrit.
Ajo theksoi gjithashtu se skena e ngjarjes ishte “çuditërisht e pastër” për një vetëvrasje me armë zjarri.
Nga ana tjetër, Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut King dhe Departamenti i Policisë kanë deklaruar se nuk ka prova të reja që justifikojnë rihapjen e çështjes.
Ekipi i pavarur ka kërkuar rishqyrtim të rastit, ndërsa autoritetet mbeten të palëkundura në përfundimin e tyre.
The post “Vrasje e inskenuar”, dokumenti i rishikuar hedh dyshime mbi vdekjen e Kurt Cobain appeared first on Euronews Albania.
