Rita Petro bashkon poetët shqiptarë në një mbrëmje poetike për Shën Valentinin

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një mbrëmje poetike e organizuar nga poetja laureate Rita Petro bëri bashkë poetë shqiptarë, të cilët dhuruan emocione përmes vargjeve kushtuar dashurisë.

Në eventin që erdhi në kuadër të Shën Valentinit, Petro tha se për dashurinë njerëzit kanë kapërcyer kufij dhe kanë bërë sakrifica të mëdha.

“Është një kënaqësi që na mblodhi këtu dashuria, na mblodhën vargjet e mrekullueshme të dashurisë. Është shumë bukur të ndajmë vargje, duke filluar nga folklori, nga autorë si Lasgush Poradeci, Petro Marko, Martin Camaj, Ismail Kadare, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Agron Tufa, nga poetë botërorë, duke filluar nga lirikja më e madhe e të gjitha kohërave, Safo, e deri te poetët e sotëm. Është aktiviteti im i parë si Poete Laureate, e shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, që e falënderoj për bashkëpunimin në këtë aktivitet. Të tjera veprimtari do të zhvillohen që lidhen me poezinë, për ta sjellë sa më pranë mjediseve me lexues të rinj dhe të çdo moshe. Poezia na e ngroh shpirtin, poezia na e çliron mendjen”, tha ajo.

Vargje poetike për dashurinë lexuan Mimoza Ahmeti, Sokol Çunga dhe Ana Kove.

Mbrëmja, e cila bëri bashkë njerëz të letrave, artit dhe personalitete, u mbyll me një poezi nga Altea Alushi, ku të pranishmit përjetuan emocione të veçanta.

The post Rita Petro bashkon poetët shqiptarë në një mbrëmje poetike për Shën Valentinin appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: