Në një shpellë të ngrirë nëntokësore në Rumani, shkencëtarët kanë zbuluar një bakter mijëra vjeçar që është rezistent ndaj 10 llojeve të antibiotikëve modernë.
Bakteri Psychrobacter SC65A.3, i izoluar nga një shtresë akulli rreth 5,000 vjeçare, është përshtatur në mjedise jashtëzakonisht të ftohta dhe mund të shkaktojë infeksione te kafshët dhe njerëzit.
“Nëse shkrirja e akullit liron këto mikrobe, këto gjene mund të përhapen në bakteret moderne, duke përkeqësuar problemin global të rezistencës ndaj antibiotikëve”, tha Dr. Cristina Purcarea, një shkencëtare e lartë në Institutin e Biologjisë në Bukuresht dhe autore e studimit të botuar në revistën Frontiers in Microbiology.
“Nga ana tjetër, ato prodhojnë enzima unike dhe komponime antimikrobike që mund të frymëzojnë antibiotikë të rinj, enzima industriale dhe inovacione të tjera bioteknologjike”, shtoi ai.
Zbulimi u bë në një pjesë të ngrirë të shpellës, ku shkencëtarët nxorën një bërthamë akulli nga zona e njohur si “Salla e Madhe”. Mostra përfaqësonte një rekord kohor prej rreth 13,000 vjetësh.
Në laborator, studiuesit analizuan lloje të ndryshme bakteriale dhe hartuan gjenomet e tyre, duke kërkuar gjene të lidhura me mbijetesën në temperatura të ulëta dhe rezistencën ndaj barnave antimikrobike.
Rezultatet tregojnë se rezistenca ndaj antibiotikëve nuk është vetëm një produkt i përdorimit modern mjekësor, por ka evoluar natyrshëm në mjedis për mijëra vjet.
Shkencëtarët testuan llojin kundër 28 antibiotikëve nga 10 klasa të ndryshme dhe zbuluan se disa prej tyre, të cilët përdoren për infeksionet e traktit urinar, mushkërive, lëkurës dhe gjakut, ishin joefektivë, duke sugjeruar se mjediset e ftohta i kanë ndihmuar bakteret të zhvillojnë sekuenca specifike të ADN-së që i lejojnë ato të mbijetojnë ekspozimin ndaj ilaçeve.
Pavarësisht rrezikut, zbulimi hap edhe shtigje të reja. Gati 600 gjene me funksione të panjohura u gjetën te bakteret, duke sugjeruar një burim tjetër të pashfrytëzuar për zbulimin e mekanizmave të rinj biologjikë.
Analiza e gjenomit zbuloi gjithashtu 11 gjene që janë potencialisht të afta të vrasin ose të ndalojnë rritjen e baktereve, kërpudhave dhe viruseve të tjera. Studiuesit thonë se këto gjetje janë të rëndësishme pasi rezistenca ndaj antibiotikëve është një problem në rritje.
The post Shkencëtarët zbulojnë bakterin e lashtë në një shpellë në Rumani, rezistent ndaj 10 antibiotikëve modernë appeared first on Euronews Albania.
