Biseda Trump–Rama–Osmani, deputetja Sara Mila: Kryeministri ngriti çështjen e komandantëve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

E ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, deputetja e PS, Sara Mila, komentoi bashkëbisedimin e zhvilluar mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së parë të Bordit të Paqes.

Në lidhje me përmbajtjen e bisedës, ajo tha se Rama ka shfrytëzuar momentin për të ngritur çështje që lidhen me Kosovën dhe për të forcuar një aks të përbashkët Shqipëri–Kosovë përballë presidentit amerikan, duke theksuar se mbetet për t’u parë nëse do të ketë vullnet politik për ta përkthyer atë komunikim në zhvillime konkrete.

“Përfshirja e Kosovës, që kur e dëgjova e mora me mend që shumë do ta quajnë populizëm, për mua nuk ka pamje më të bukur sot në arenën ndërkombëtare sesa ai moment kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidentja e Kosovës ishin të dy shumë të angazhuar me presidentin Trump për të shfrytëzuar maksimalisht ato sekonda që ke në dispozicion. Fakti që ajo bisedë ndodhi ka peshë. Jam e sigurt që kryeministri Rama i ka shfrytëzuar shumë mirë ato sekonda e veta, përfshirë edhe çështje që lidhen me Kosovën, si ajo e komandantëve. A do të ketë vullnet politik që presidenti Trump ta përkthejë atë angazhim publik në hapa konkretë? Këtë nuk mund ta them sot. Por sot kemi një aks shumë të mirë nga kryeministri i Shqipërisë. Ai e shfrytëzoi momentin. Madje, edhe në referencat që bëri – duke përdorur terma që ruanin dualitetin fetar – dha një mesazh për tolerancën fetare nga Shqipëria e vogël, që është aleate me të gjithë. Dhe fakti që vëmendja ishte te Shqipëria, te Kosova dhe te ky unitet, është një moment që për mua ka shumë vlerë. Ne mbetemi dy vende të vogla, por me vlerë të madhe për veten tonë. Dhe në atë panoramë, ai moment angazhimi vlen shumë, ndoshta më shumë se çdo koment që bëhet më pas”, tha Mila.

Deputetja theksoi gjithashtu se ekziston një prirje për të minimizuar momente të tilla, sidomos kur, sipas saj, “kryefjala bëhet kryeministri Rama”. Ajo e cilësoi Bordin e Paqes si një mekanizëm të ri me ambicie pragmatike, që synon rezultate të prekshme dhe jo thjesht deklarata formale, duke e krahasuar me organizma të mëdhenj ndërkombëtarë që shpesh nuk arrijnë reagime të menjëhershme në situata emergjente si Gaza.

“Është bërë zakon që kur një gjë shkon shumë mirë dhe sidomos kur kryefjala bëhet kryeministri Rama, diskursi më pas është ta bëjmë sikur nuk ishte ndonjë gjë e madhe, sikur ishte diçka që çdokush do ta bënte. Në fakt, është një dëshirë për ta minimizuar suksesin që flet vetë. Kur flasim për Bordin e Paqes, flasim për një mekanizëm që është premtuar të jetë pragmatik. Jo thjesht të mblidhen disa vende dhe të bëjnë një deklaratë, por të presim rezultate konkrete”, tha ajo.

The post Biseda Trump–Rama–Osmani, deputetja Sara Mila: Kryeministri ngriti çështjen e komandantëve appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: