Zyra e Prokurorit Publik në Maqedoninë e Veriut ka propozuar në mbrëmjen e 23 shkurtit që ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi t’i nënshtrohet masës së arrestit shtëpiak, pasi është arrestuar nga autoritetet maqedonase po të njëjtën ditë.
Ai është arrestuar në pikën kufitare Bllacë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”.
Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Prokuroria e ka arsyetuar kërkesën për arrest shtëpiak, duke thënë se shumica e të dhënave tashmë janë të siguruara, për faktin që Grubi është dorëzuar vullnetarisht para agjencive shtetërore për zbatim të ligjit, si dhe ka sinjale që “siguria e tij personale nuk mund të garantohet në një qendër ndalimi”.
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin për arrest shtëpiak. Ai do të jetë nën mbikëqyrje 24-orëshe nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
The post Artan Grubi lihet nën arrest shtëpie appeared first on Euronews Albania.
