Me Yllka Mujon dhe Armela Demajn, rikthehet në Teatrin Metropol “Gjysmë-jeta e Marie Curie”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Shfaqja “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, një histori force, sakrifice dhe dritë që ndryshoi botën, rikthehet në skenën e Teatrit Metropol. Vepra vjen nën interpretimin e veçantë të Yllka Mujo dhe Armela Demaj.

Shfaqja fokusohet tek jeta dhe rezistenca e dy grave të jashtëzakonshme shkencëtare, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe pasion për shkencën. Interpretimi i Mujos dhe Demajt tregon guximin dhe përkushtimin e palëkundur të shkencëtareve ndaj punës së tyre.

“Është një vepër frymëzuese. Në thelb nuk ka vetëm historinë e dy grave që i kanë dhënë botës kontribut, por edhe marrëdhëniet njerëzore. Dalin në pah partneritetet dhe guximi që gratë e jashtëzakonshme kanë dhënë botës mbarë. Janë modele njerëzish që janë për t’u marrë shembull. Mesazhi është që nuk duhet të mbajmë asnjëherë sytë mbyllur, por të kërkojmë të vërtetën dhe të qëndrojmë të gjallë”, thotë Armela Demaj.

Përmes dialogjeve të fuqishme dhe skenave të ndjeshme, shfaqja thekson rëndësinë e miqësisë, mbështetjes dhe respektit të ndërsjellë, duke ofruar një pasqyrë të sfidave dhe suksesit të shkencëtareve pavarësisht pengesave.

“Gjysmë-jeta e Marie Curie” rikthen në skenë një histori frymëzuese të pasionit, qëndrueshmërisë dhe ndikimit të grave në botë.

The post Me Yllka Mujon dhe Armela Demajn, rikthehet në Teatrin Metropol “Gjysmë-jeta e Marie Curie” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: