Bashkimi Evropian ka regjistruar një numër rekord produktesh të rrezikshme gjatë vitit 2025, ku në krye të listës janë kozmetika, lodrat dhe pajisjet elektrike. Sipas sistemit të sigurisë së BE-së, Safety Gate, u regjistruan gjithsej 4,671 alarme për produkte të rrezikshme, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me vitin 2024 dhe më shumë se dyfishim krahasuar me vitin 2022.
Rreziqet kryesore lidhen me kimikatet e rrezikshme (53% e njoftimeve), të ndjekura nga rreziku i lëndimeve (14%) dhe ai i mbytjes (9%). Shumë raste përfshijnë produkte kozmetike që përmbajnë aromë sintetike të ndaluar në BE që nga viti 2022, e cila mund të dëmtojë sistemin riprodhues dhe të shkaktojë irritime të lëkurës. Për herë të parë janë raportuar edhe manikyrë për thonj me substancën TPO, e ndaluar në vitin 2025 për shkak të rreziqeve për shëndetin prenatal dhe reaksioneve alergjike.
Italia kryeson me numrin më të madh të produkteve të rrezikshme, me 1,193 njoftime, e ndjekur nga Gjermania me 465 dhe Franca me 455. Rreth tre të katërtat e produkteve vijnë nga jashtë BE-së, me Kinën si burimin kryesor (2,006 raste).
Autoritetet evropiane theksojnë se rritja e tregtisë online dhe e dërgesave nga vendet e treta kërkon forcim të kontrolleve për sigurinë e produkteve në treg.
Treguesit e produkteve të rrezikshme në 2025:
53% kimikate të rrezikshme
14% rrezik nga lëndimet
9% rrezik nga mbytjet
Numri i produkteve të rrezikshme sipas shteteve:
Italia: 1,193
Gjermania: 465
Franca: 455
Islanda: 5
Rumania: 2
Greqia: 0
The post BE regjistron numër rekord të produkteve të rrezikshme në 2025, kryesojnë kozmetika dhe lodrat appeared first on Euronews Albania.
