Emiliano Martinez është në qendër të raportimeve në Angli, pasi portieri i Aston Villas dyshohet se ka shkelur rregulloret e basteve për shkak të bashkëpunimit të tij me një kompani bastesh argjentinase.
Sipas një raporti nga The Athletic, kampioni i botës me Argjentinën shfaqet në reklama dhe promocione për një kompani bastesh. Në fakt, si ai ashtu edhe vëllai i tij shpesh marrin pjesë në materiale promocionale të kompanisë, thuhet në media.
Ky aktivitet mund të bie ndesh me rregulloret strikte të basteve të Shoqatës Angleze të Futbollit (FA). Rregulloret e FA-së përcaktojnë në mënyrë specifike se: “Një person që merr pjesë, kur vepron në cilësi personale, nuk mund të reklamojë ose promovojë asnjë aktivitet bastesh të ndaluar nga Rregulloret E8.1, E8.2 ose E8.4.”
Çështja bëhet edhe më serioze nga fakti që kjo kompani ofron baste në gara të tilla si Premier League, FA Cup dhe UEFA Europa League — gara në të cilat Martinez merr pjesë me fanellën e Aston Villas.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga vetë futbollisti, ndërsa mbetet e panjohur nëse FA ka nisur një hetim zyrtar për rastin.
Nëse vërtetohet përfundimisht se ka pasur shkelje të rregulloreve, portieri argjentinas mund të përballet me sanksione disiplinore, pasi FA mban një qëndrim veçanërisht të rreptë për çështjet që lidhen me bastet në futboll.
Martinez, i cili fitoi Kupën e Botës 2022 me ekipin kombëtar të Argjentinës, është një nga portierët më të njohur në Premier League, gjë që e bën rastin edhe më të publikuar.
The post Premier League, kampioni i botës akuzohet për promovimin e basteve appeared first on Euronews Albania.
