Në komunën e Hanit të Elezit vetëm mbrëmjen e 10 marsit janë evidentuar dy vjedhje dhe një tentativë vjedhjeje. Sipas Policisë në Han të Elezit, në këto raste më së shumti janë vjedhur stoli ari, me një vlerë të përgjithshme rreth 170 mijë euro.
Pronari i një prej shtëpive të dëmtuara, Fadil Brava nga fshati Postenik i Hanit të Elezit, tha për KosovaPress se gjatë kohës së iftarit persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe në atë të vëllait, duke shfrytëzuar mungesën e familjarëve. Ai tha se nga shtëpia janë vjedhur stoli ari, dy pushkë gjuetie si dhe janë shkaktuar dëme të tjera.
Brava: Hajnat na vodhën shtëpinë time dhe të vëllait gjatë iftarit
“Rasti ka ndodhur në kohën e iftarit në orën 5:40, brenda nja gjysmë ore, 40 minuta.
Gazetari: Si kanë arritur personat të hyjnë brenda në shtëpinë tuaj?
Brava: Po ne nuk kemi qenë në shtëpi. Këtu dy shtëpitë, e vëllait edhe e imja, janë thyer. Unë kam qenë në punë te restoranti, punoj me familjen. Nusja ka qenë te shtëpia e vëllait këtu, atë kohë e kanë shfrytëzuar.
Gazetari: Domethënë janë dëmtuar edhe shtëpia juaj edhe shtëpia e vëllait?
Brava: Po, të dyja. Te unë janë marrë dy pushkë gjuetie edhe ari i shoqes, domethënë çka ka pasur krejt.
Gazetari: Përafërsisht çfarë vlere kanë pasur?
Brava: Vlerën nuk po e di edhe çka të them. Te gjuetia, pushkë gjuetie dihet, ndërsa për arin nuk po di çka të them.
Më pas policia e ka bërë kontrollin, shihet edhe nga gjurmët kah kanë ecur, por tash mbetet te ata. Diku kah ora 7 e kemi hetuar që janë thyer shtëpitë. Vëllai, duke shkuar në xhami, më ka njoftuar që t’i thërras policinë. Ne kemi ardhur prej restorantit. Dëmtimet nuk më dhimbsen për atë çka kanë marrë, por për mënyrën si e pashë shtëpinë. Veç në luftë i kam parë kështu çka kanë bërë.
Gazetari: Gjërat nëpër tokë?
Brava: Po, s’ta merr mendja, çdo send i thyer e i rrëzuar”, tha Brava.
Komandanti i Stacionit Policor në Han të Elezit, togeri Nuri Dema, tha se dy vjedhjet përfshijnë vjedhjen e stolive të arit dhe armëve të gjuetisë, ndërsa një rast ka mbetur vetëm tentativë.
Dema: U vodhën sasi të arit, në njërën shtëpi rreth 120 mijë euro, në tjetrën rreth 50 mijë euro
“Përmes kësaj videoje jemi të njoftuar për rastet e djeshme që kanë ndodhur mbrëmjen e 10 marsit 2026. Janë raportuar tri raste të ndara: dy janë vjedhje të rënda, ndërsa njëra është vetëm vjedhje në tentativë. Personat e dyshuar kanë hyrë deri në shtëpi, kanë demoluar, por nuk kanë vjedhur asgjë sipas deklaratës së pronarit.
Në dy rastet tjera të ndara, në njërën shtëpi janë vjedhur dy pushkë gjuetie dhe një sasi ari rreth 50 mijë euro, stoli ari, kështu ka deklaruar pronari. Kurse në shtëpinë tjetër janë vjedhur rreth 1 kilogram e 200 gramë ari, stoli ari, që në vlerë arrijnë rreth 120 mijë euro.
Njësitë policore i janë përgjigjur menjëherë rastit. Patrullat dhe njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas kanë ardhur edhe hetues nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt për të ekzaminuar vendin e ngjarjes. Rasti është ende duke u hetuar dhe momentalisht nuk kemi ndonjë zhvillim të ri”, tha Dema.
Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person lidhur me këto vjedhje në komunën e Hanit të Elezit.
The post Vidhen stoli ari në Hanin e Elezit me vlerë 170 mijë euro, dalin detajet appeared first on Euronews Albania.
