Mbi 1,000 artistë kërkojnë bojkotimin e Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Mbi 1,000 muzikantë ndërkombëtarë, kanë nënshkruar një letër duke bërë thirrje për bojkotimin e Festivalit të Këngës në Eurovizion në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.

Nisma është ndërmarrë nga grupet e fushatës “Pa Muzikë për Gjenocidin” dhe Fushata Palestineze për Bojkotin Akademik dhe Kulturor të Izraelit, të cilat i kanë kërkuar Unionit Evropian të Transmetimeve  që të përjashtojë transmetuesin publik izraelit, KAN, nga gara e këtij viti.

Në letrën e hapur thuhet se lejimi i Izraelit për të marrë pjesë “për të tretin vit radhazi” ndodh pavarësisht akuzave për gjenocid në Gaza. .

“Ne refuzojmë të heshtim përballë dhunës që po shkatërron jetët e palestinezëve,” thuhet në deklaratën e artistëve të cilët shtojnë se nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë situatës humanitare në Gaza dhe shkatërrimit të jetës kulturore atje, duke e parë bojkotin si një formë presioni moral.

Nga ana tjetër, EBU ka mbrojtur vendimin e saj, duke theksuar se Eurovision është një garë midis transmetuesve publikë dhe jo qeverive, dhe se pjesëmarrja nuk duhet të politizohet.

Debati është thelluar edhe më tej pasi disa vende, përfshirë  Spanja, Irlanda, Sllovenia, Holanda dhe Islanda janë tërhequr nga edicioni i këtij viti.

Edicioni i 70-të i Eurovisionit pritet të mbahet në Vienë me finalen e planifikuar për 16 maj 2026, në një klimë të tensionuar që po e kthen këtë event muzikor në një nga më të diskutuarit politikisht në historinë e tij.

The post Mbi 1,000 artistë kërkojnë bojkotimin e Eurovision për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: