Gjatë vizitës së tij zyrtare në Greqi, Presidenti francez Emmanuel Macron dërgoi një mesazh se Franca do të reagonte nëse Turqia do të kërcënonte Greqinë, duke theksuar se Parisi “do të ishte i pranishëm” në rast të një kërcënimi ndaj sovranitetit grek.
Macron e dha mesazhin në kontekstin e forcimit të partneritetit strategjik greko-francez, duke theksuar se “sovraniteti i Greqisë është i paprekshëm” dhe se Franca mbetet një aleat i fortë i Athinës, raportoi sot ERT greke.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vlerësoi se bashkëpunimi me Francën ka “rëndësi ekzistenciale” për të ardhmen e Evropës dhe autonominë strategjike të BE-së.
Nga Pallati Presidencial, presidenti francez dje përsëriti se Franca “do të qëndrojë pranë Greqisë në çdo moment kritik”, ndërsa zyrtarët e të dy vendeve vlerësuan se marrëveshja përfaqëson një forcim të bashkëpunimit mbrojtës në planin afatgjatë dhe një model të partneritetit evropian në kushtet e tensioneve të rritura të sigurisë.
Gjatë darkës në Pallatin Presidencial, ku mori pjesë edhe Presidenti Grek Konstantinos Tassoulas, Macron theksoi mbrëmë se miqësia dhe bashkëpunimi i dy vendeve janë një mbështetje e qëndrueshme në sfidat evropiane dhe globale.
Gjatë vizitës, Macron dhe Mitsotakis do të vizitojnë sot fregatën “Kimon” në Pire, do të zhvillojnë një takim në vilën Maximos dhe do të marrin pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe, si dhe në deklarata të përbashkëta për median.
The post Macron në Athinë: Nëse Turqia kërcënon Greqinë, dijeni se ne do të jemi këtu appeared first on Euronews Albania.
