Në një lidhje live për Euronews Albania me Esmeralda Mulja, gazetari Kosov Gjoci u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e donte Vjosa Osmanin si presidente dhe nuk donte t’i siguronte asaj një mandat tjetër.
Sipas tij, dështimi në arritjen e propozimit të një emri për president ka qenë sepse Kurti nuk ka pasur vota për kandidaturat që kanë qenë Vjosa Osmani, Hatixhe Hoxha, Feride Rushiti dhe Ramush Haradinaj. Sakaq, Gjoci theksoi se Kurti është i vendosur që postin e presidentit do ta mbajë për vete, qoftë me një kandidat puro politik apo një kandidat që do ta zgjedhë vetë ai.
“Në bazë të asaj që tha Kurti, që erdhi edhe me një ofertë të re, që kërkoi që LDK të sjellë Osmanin dhe nënshkrimet e saj, por jo duke garantuar që 66 votat e LVV do të shkojnë për të, por thjesht si një kandidate si Rushiti.
Në dy raundet e para dihet që asnjëra nga kandidatët nuk do t’i marrin votat. Edhe fakti si u trajtua Hatixhe Hoxha nga Kurti, pastaj si nuk ishte në gjendje që të garantonte që këto vota do t’i shkonin Osmanit, duke qenë se ishte emri i vetëm i përmendur nga ana e LDK-së.
Pra ai tha që ajo mund të vijë, ne i ofrojmë nënshkrimet, votat, por nuk mund të garantoj sepse vota është e fshehtë dhe nuk e dimë se kush voton kë. Pra del në një farë mënyre që Kurti realizoi atë që donte, si president të zgjidhte një kandidat që e kishte zgjedhur vetë dhe këtu Osmani nuk do të kishte fare gjasa që të zgjidhej.
Shtoj edhe faktin që nuk mund të thuash që nuk i kishim votat për Osmanin dhe nuk i kishte votat as për Rushitin, sepse kishte 63 vota që nuk ishin të mjaftueshme.
Kurti nuk i kishte votat për asnjë kandidat, as për Rushitin, as për zonjën Hoxha, as për Osmanin dhe as për Haradinaj.
Në parim presidenti zgjidhet me 80 vota dhe gjasat që të vijë një parti në pushtet që të ketë atë fuqi është tepër e vogël, ndaj duhet të zgjidhet me bashkëpunim, ndonjëherë edhe me ndërhyrje ndërkombëtare. Kurti nuk ka qenë i interesuar që t’i sigurojë Osmanit një mandat.
Kurti është i vendosur që postin e presidentit ta mbajë për vete, qoftë me një kandidat puro politik apo një kandidat që do ta zgjedhë vetë ai. Kurti e ka dëshmuar këtë edhe me ofertat ndaj LDK-së.
Asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të ofrojë postin e presidentit deri në ofertën e parafundit”, u shpreh Gjoci.
The post Kurti nuk e donte Osmanin presidente! Gazetari tregon se si dështuan dy kandidaturat appeared first on Euronews Albania.
