Paralajmërimi i tatimeve për faqet që shesin online: Regjistrohuni ose do t’iu mbyllen

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tatimet paralajmërojnë bizneset që shesin online që të regjistrohen. Në të kundërt, faqet do t’iu mbyllen. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Administrata Tatimore u kujton të gjithë personave fizikë, individëve tregtarë, të vetëpunësuarve dhe entiteteve që zhvillojnë veprimtari ekonomiko-tregtare nëpërmjet internetit se, njësoj si çdo aktivitet tjetër tregtar, janë të detyruar të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit përpara fillimit të ushtrimit të aktivitetit.

Në bazë të nenit 40, pika 1/1, të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” (i ndryshuar), këto subjekte kanë detyrimin ligjor të publikojnë në faqen e tyre të internetit:

  • numrin e NIPT-it;
  • emrin e subjektit tregtar;
  • adresën e selisë;
  • numrin e telefonit.

Në rastet kur evidentohen persona që ushtrojnë aktivitet tregtar online pa i publikuar këto të dhëna, Administrata Tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i kërkojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bllokimin e përkohshëm të faqes së internetit përmes së cilës ushtrohet aktiviteti.
Institucioni thekson se bashkëpunimi me AKEP është forcuar, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit, veçanërisht ndaj subjekteve që operojnë online pa u regjistruar dhe pa deklaruar pranë organeve tatimore.
Administrata Tatimore u kërkon të gjithë personave që ushtrojnë ose synojnë të ushtrojnë tregti në internet të përmbushin kërkesat ligjore dhe të shlyejnë detyrimet tatimore përkatëse.
Në të kundërt, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve për regjistrim dhe publikim të të dhënave, Administrata Tatimore do të aplikojë masat administrative të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

The post Paralajmërimi i tatimeve për faqet që shesin online: Regjistrohuni ose do t’iu mbyllen appeared first on Fast News Economy.

Shpërndaje: