Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Interpelanca e sotme e Agron Shehajt me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu provoi se nëse sistemi shëndetësor ka probleme, problemi fillon nga maja.
Kryetari i Partisë Mundësia zgjodhi të mos bëjë vetë pyetje për interpelancën, por të nxirrte dëshminë e një të moshuari, djali i të cilit kishte ndërruar jetë tek Onkologjiku, pasi aty nuk kishte ilaçe.
“Zonja ministre, kjo është pyetja ime. Jepini përgjigje këtij qytetari. ‘Do merrni më qafë të tjerët pa mirë djali im iku’” – u shpreh Shehaj.
Ky moment duket se e kapi gafil ministren e Shëndetësisë, e cila u detyrua të devijojë nga përgjigjet që kishte përgatitur, duke e bërë ministren të flasë aty për aty, pa u konsultuar, pa përgjigje të gatshme.
Për ministren, trajtimi i një rasti konkret të vdekjes për mungesë ilaçesh ishte një veprim i paskrupullt.
“Nuk e mendova kurrë që do të vije këtu dhe do të trajtoje këtë fatkeqësi të një qytetari për kredo politike. Nuk trajtohen humbjet dhe fatkeqësitë për kredo politike. Nëse do ti shkojmë rastit, i shkojmë deri në fund. Por nuk besoj që ky është as vendi as Kuvendi për të treguar raste specifike, që nuk kanë të bëjnë aspak me atë që deklaruat ju.” – kështu e nisi fjalën ministrja.
Por Albana Koçiu nuk u ndal këtu.
“Sëmundja e kancerit nëse nuk kapet në kohë ka problematikat e veta. Dhe për të kapur sëmundje të tilla në kohë, bëjmë fushata.” Pra në thelb, sipas ministres, fajin për humbjen e jetës e kishte vetë i ndjeri, pasi nuk e kishte kapur në kohë sëmundjen.
Ministrja tha se fushatat për sensibilizimin për kontrollet për sëmundje të tilla vdekjeprurëse bëhen me qëllim që raste të tilla të mos sillen në Kuvend.
Ajo iu kthye fjalës që kish thënë më parë, që premtonte se rastit në fjalë mund ta diskutonin në thellësi.
“Nuk do të bie në batakun e asaj që doni të bëni. Nuk kam ndërmend që të vazhdoj të të jap shpjegime për këtë.”
Por pika që derdhi gotën erdhi në fund të fjalës së ministres. Nëse Agron Shehaj, apo dikush tjetër në sallën e Kuvendit shqetësohet për raste të tilla, duhet të trokasë në derën e saj.
“Sikundër nga ana tjetër, nëse ti në cilësinë e deputetit dhe unë në cilësinë e ministres do të kishe kaq shumë ndjesi të forta të përgjegjësisë qytetare, mund të vije fare mirë ti bije një herë të vetme derës time, apo të më shkruaje një mesazh.” – përmbylli ministrja.
Pra ministrja e Ramës jo vetëm që nuk pranoi të trajojë rastin që solli Shehaj në Kuvend, por gjithashtu përligji veten si njeriun që duhej kontaktuar për të zgjidhur probleme të kancerit.
Ky moment nuk i shpëtoi Shehajt.
“Kush jeni ju që të vij unë të trokas tek dera juaj?! Kush mendoni se jeni ju? Ju jeni një shërbëtore.
Ju duhet të shërbeni qytetarët, pavarësisht se kush janë deputet, ministra, pasanik, të varfër apo jo. Ju duhet ti shërbeni të gjithëve. Si mund të më thoni pse nuk erdha të trokas? Çfarë do bënit ju po të trokisja unë? Do ja hiqnit atij e do ja jepnit dikujt tjetër apo do të bënit të kundërtën? Ju vendosni kush do të jetojë e kush do të vdesë në këtë vend?”
Këto pamje të një ministre arrogante të kapur të papërgatitur ishin skandaloze. Në një vend ku njerëzit vdesin pasi nuk ka ilaçe, por propagandohet fabula “Shëndetësia falas”, mënyra si mendon shefja e këtij sektori është se edhe për vdekjen ka dy standarde. Nëse ka mungesa ilaçesh, nëse dikush rrezikon vdekjen, duhet kontaktuar ministrja. Kush nuk e ka mundësi, do të ketë fatin e djalit për të cilin babai fliste në mikrofonin e Shehajt.
Nëse sëmuren me sëmundjet e rrezikshme, njerëzit e kanë fajin vetë, sepse ato janë sëmundje që nuk falin. Madje ministria bën edhe fushata sensibilizuese. Kur në fakt mungesa e ilaçeve është problemi thelbësor dhe jo ndërgjegjësimi për rrezikshmërinë e kancerit.
Dhe kryesorja, Kuvendi nuk është vendi ku mund të trajtohen problemet e qytetarëve.
Interpelanca e sotme shpërfaq disa probleme, nga papërgatitja e një zyrtari të rangut ministër, tek ajo kryesorja, shkëputja totale nga realiteti. Një testim mjafton dhe fasada propagandistike bie: Kuvendi nuk është vendi ku mund të trajtohen problemet e qytetarëve.©Lapsi.al
The post Testi për shëndetësinë/ Ç’na tregon mbrojtja e ministres Koçiu appeared first on Lapsi.al.
