Kupa e Shqipërisë/ Tirana eliminohet nga Bylisi në shtesë, Laçi përmbys Kukësin

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kupa e Shqipërisë ka nisur ditën e parë për ndeshjet e fazës së 1/8. Biletën e parë për në çerekfinale e siguroi Laçi që fitoi 3-1 kundër Kukësit, ndërsa Tirana u eliminua nga Bylisi. Ndeshja në stadiumin e Vorës shkoi me shtesë pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt, aty ku ballshiotët fituan pas 120 minutave lojë (1-2).

Në stadiumin e Vorës kryeqytetasit e KF Tiranës panë t’u luhej një dramë para syve. Miqtë e Bylis fituan 1-2 pas 120 minutave lojë dhe kalojnë më tej. Tirana e Gugash Maganit sheh makthe këtë sezon, pasi si të mos mjaftonte forma e dobët në kampionat dhe zona e ftohtë, janë jashtë edhe nga Kupa e Shqipërisë. Më të dhimbshme këtë situatë e bën fakti se Tirana në këtë duel kaloi e para në avantazh me Emmanuel Ernest, sulmuesin e afruar në janar i cili debutoi me gol. Më pas Bylis barazoi në pjesën e parë me Markun, para se skuadrat të shkonin në shtesën prej 30 minutash pasi koha e rregullt u mbyll 1-1. Ishte Fatmir Ruçi në minutën e 116 që i dha suksesin Bylisit dhe bën që ballshiotët të kalojnë në çerekfinale.

Në stadiumin e Laçit vendasit u imponuan dhe përmbysën 3-1 Kukësin. Paçka se Kukësi shënoi me Badjie në minutën e 20-të, kurbinasit përmbysën me Tresan dhe Bullarin brenda pjesës së parë. Edhe fraksioni i dytë foli për vendasit që sërish me Bullarin gjetën edhe golin e tretë. Për t’u evidentuar se në minutën e 27-të portieri i vendasve Marco Molla u dëmtua në dorë dhe kokë dhe loja u ndërpre disa minuta, me gardianin që u dërgua në spital për kontrolle të specializuara.

Ndeshjet e tjera do të zhvillohen të mërkurën. Egnatia – Kastrioti dhe Skënderbeu – Vora do të luhen në orën 13:00, ndërsa në 13:30 do të startojë ndeshja Dinamo City – Erzeni.

Katër takimet e tjera do të luhen në orën 17:00. Një nga ndeshjet më interesante është përballja Teuta – AF Elbasani. Në ndeshjet e tjera, Vllaznia do të ketë përballë Besën e Kavajës dhe Partizani do të luajë me Apoloninë.

Për shkak të reshjeve të borës dhe kushteve në stadiumin e Korçës, ndeshja e Skënderbeu – Vora do spostohet në stadiumin e qytetit të Bilishtit në orën 13:00.

Kupa e Shqipërisë – Turi 1/8

E martë, më 14 janar 2025
Laçi 3-1 Kukësi                               13:00
Tirana 1-2 Bylis (Vorë)                   13:00

E mërkurë, më 15 janar 2025
Skënderbeu – Vora                     13:00 (Stadiumi i Bilishtit)

Egnatia – Kastrioti                      13:00
Dinamo City – Erzeni                 13:30
Teuta – AF Elbasani                   17:00
Vllaznia – Besa                          17:00
Partizani – Apolonia                   17:00

The post Kupa e Shqipërisë/ Tirana eliminohet nga Bylisi në shtesë, Laçi përmbys Kukësin appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *