Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Aktivisti Aurel Kujtimi ka njoftuar se ka depozituar të mërkurën në SPAK një kallëzim penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-drejtoreshës së Rezidencës Studentore Universitare nr.1, Anila Shehu, lidhur me atë që ai e cilëson si një nga aferat më skandaloze në Qytetin Studenti.
“Ky kallzim ka të bëjë me godinën 19 e cila është një skenë tipike inceneratori që lekët janë hedhur, por godina 19 nuk ekziston dhe sot e kësaj dite”, thekson ai.
Në një postim në rrjetet sociale, aktivisti ka shprehur shqetësimin se, ndonëse mediat u informuan për kallëzimin dhe deklaratën e mbajtur përpara SPAK më 3 mars, asnjë prej tyre nuk e ka pasqyruar këtë zhvillim. Ai ka veçuar një media specifike që kishte regjistruar deklaratën, por ende nuk e ka transmetuar atë, pa dhënë arsye për vonesën.
Gjithashtu, ai ka inkurajuar SPAK që të veprojë në përputhje me ligjin për të hetuar çështjen dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat e përfshirë. Aktivisti ka njoftuar se, sapo të marrë konfirmimin zyrtar nga posta për dorëzimin e kallëzimit, do të bëjë një komunikim të mëtejshëm në rrjetet sociale.
Prej gati një muaji, Erion Veliaj është arrestuar me urdhër të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Nën akuzë është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Veliaj dhe bashkëshortja e tij përfituan qindra mijëra euro ryshfet nga fondet e Bashkisë apo kompani kontraktore – përfitime të paligjshme që u injektuan dhe ‘pastruan’ nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga Xoxa.
Që prej arrestimet, Veliaj ka sulmuar në mënyrë sistematike prokurorin e dosjes në ngarkim të tij dhe ka pretenduar se arrestimi i tij ka motive politike. Më 11 Mars, Apeli i GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg” pa afat.
Veliaj, ndërkohë, nuk ka asnjë akuzë penale për dy nga aferat më të zëshme të viteve të fundit – dosjen e inceneratorit të të Tiranës dhe asaj të njohur si “5D”, pavarësisht akuzave dhe indicieve se ai ka kryer veprime jo të ligjshme. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka quajtur Veliajn “pronarin faktit të inceneratorit të Tiranës” bashkë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa opozita e cilëson “kokën e bandës së drejtorëve hajdutë”, duke iu referuar ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë të arrestuar për dosjen “5D”.
The post “Afera skandaloze në QS”/ Tjetër kallëzim në SPAK për Erion Veliajn appeared first on GIJOTINA.
